Legjenda e Boksit, Aziz Salihu flet për karrierën e tij dhe gjendjen e boksit në ditët e sotme

12:10 | 14 Gusht 2023
L G

Legjenda e Boksit, Aziz Salihu, është një nga emrat më të njohur në sportin kosovar.

Sukseset e arritur nga ai nuk janë përsëritur më, raporton Arbresh.info.

Salihu, është shpallur tetë herë kampion në ish-Jugosllavi, duke mposhtur kundërshtar nga më të ndryshmit.

Ish-boksieri për Arbresh.info ka treguar sekretin e suksesit të tij.

“Kam qenë një boksier i mirë. Kam qenë një boksier me teknikë. Jam tetë herë kampion i Jugosllavisë dhe dy herë për juniora. Me të vërtet është kënaqësi që 10 herë të jesh kampion”.

Sukseset e Azizit përfshijnë edhe arenën ndërkombëtare. Ai është sportisti i parë kosovar që ka arritur të marrë pjesë në tre Lojëra Olimpike.

Kualifikimi si dhe medalja e bronztë në këto kompeticione, janë arritjet më të mëdha për legjendën kosovare.

“Normal e konsideroj Olimpiadën. Tri herë të shkosh në Olimpiadë është diçka e veçantë. Është dashur të mposhtësh të gjithë dhe tri herë kam arritur normat për të marrë pjesë. Kam qenë i vetmi që kam marrë pjesë në Olimpiadë. Kam fituar ndeshje, rrallë herë që më mposhtnin. Të gjithë boksierët e Evropës dhe Botës i kam mposhtur. Të marrësh pjesë në olimpiadë është kënaqësi.”

Pavarësisht sukseseve të arritura, Salihu nuk është pjesë e Federatës së Boksit.

“Është marre që unë nuk jam pjesë e Federatës e KOK-ut. Klubin tonë, federatën ose KOK-un duhen shumë gjëra që të bëhen kampionë përsëri qysh kanë qenë përpara”.

Tutje, Azizi ka folur edhe për gjendjen e boksit në ditët e sotme.

“Së pari duhet të ketë trajnerë e përkrahje. Ka shumë gabime. Unë kam trajnerët dhe bëjmë ushtrimet, por prapë kushte nuk ka. Nuk po na japin ato që duhet. Klubi i boksit Prishtina është kryesori më i madh në Evropë e botë. Ne krejt kampionë kemi qenë. Ne prapë do të arrinim të rikthenim, por s’kemi kushte”.

Ish-boksieri, medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike e fitoi në vitin 1984 në Los Angeles./Arbresh.info/Orgesa Haziri/

Të ngjashme