Shkëndija nga Tetova edhe praktikisht është kampion i ri i Maqedonisë në futboll. Klubi shqiptar prinë me 75 pikë, ka 26 më shumë se Vardari nga Shkupi, që mban pozitën e dytë. Emocionet për shpalljen kampion të Shkëndijës në Ligën e Maqedonisë akoma po vazhdojnë, ndërkohë pronari i FC Shkëndija, Lazim Destani, ju drejtohet tifozëve dhe klubit me mesazh urimi. “Ju lumtë Shkëndija! Ndeshja e djeshme e Shkëndijës solli gëzim për skuadrën, për stafin dhe drejtuesit e klubit, për ‘Ballistët’ si dhe për gjithë ata tifozë që me ëndje e ndjekin Shkëndijën, si nga tribunat ashtu dhe nga larg, nëpërmjet ekraneve. Edhe mua kësaj radhe më ndodhi ta ndjek ndeshjen nga larg, dhe që andej sot desha ta ndaj këtë gëzim së bashku me ju miq dhe dashamirës të Shkëndijës. Tashmë Shkëndija edhe zyrtarisht u shpall kampione e këtij stinori.
Është ky një sukses për t’u shënuar, titulli kampion – i dyti në historikun e klubit ndërsa i pari pas marrjes nën përkujdesje nga Ecolog. Jam i lumtur që erdhi koha ta shikojmë skuadrën e Shkëndijës kështu të konsoliduar, kompakte e me vetëbesim të plotë. Unë e çmoj lart frymën e harmonisë brenda skuadrës por edhe brenda klubit në përgjithësi. Kjo frymë pozitive është atributi që skuadrës i sjell siguri dhe guxim përballë cilësdo skuadër në fushën e gjelbër. Sadoqë për Shkëndijën kampionati tashmë quhet i mbaruar, skuadrën e presin sfida të reja për të cilat duhet të punohet me përkushtim dhe unë jam i bindur se të gjithë ju në klub, lojtarët, stafi teknik dhe menaxhmenti, për këtë jeni të vetëdijshëm dhe do ta bëni më të mirën për të vazhduar ecjen në rrugën tuaj drejt sukseseve të reja.
Sukseset e këtilla të skuadrës kanë qenë ndër synimet tona dhe sigurisht që na motivojnë për t’i qëndruar pranë klubit e për ta përkrahur gjithnjë e më shumë. Me rastin e shpalljes së KF Shkëndija kampion të këtij stinori po jua përcjell urimet e mia më të mira ju lojtarëve, stafit teknik si dhe menaxhmentit të klubit. Në mënyrë të veçantë ju uroj gjithë juve mijëra tifozëve që me ëndje e ndiqni skuadrën tuaj të zemrës si dhe ju ‘Ballistëve’ që gjithmonë jeni aty ku janë kuqezinjtë e Shkëndijës suaj duke e mbështetur skuadrën e zemrës në mënyrë gjithnjë e më të civilizuar. Urime të gjithëve së bashku! Paçi shëndet dhe suksese me fitore dhe arritje të reja!”, shkruan Destani.
Haradinaj: Aleanca me partnerët, forca e vetme për përparim ...
Mbi 1.000 koreanoveriorë të vrarë apo të plagosur duke luftu...
Rohde i shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe: Proce...
Rusia marrë propozime për të zhvilluar një takim mes Putin d...
100-vjetori i themelimit të Klubit të Futbollit Prishtina, K...
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...