Pa e marrë ende veten nga humbja shokuese 4-0 ndaj Ajaxit në Ligën e Kampionëve, Borussia e Dortmundit merr një tjetër lajm tronditës. Sulmuesi Erling Haaland ka pësuar një dëmtim dhe do të mungojë për disa javë, duke “braktisur” skuadrën në një moment vërtetë të vështirë.
Lajmin e dha trajneri i verdhezinjve, Marco Rose, që deklaroi se sulmuesi ka probleme me shpinën, që nuk e lejojnë atë të japë maksimumin dhe do të duhet koha e nevojshme që të rikuperohet e të kthehet në maksimum.
“Kam folur me Erling dhe ka një problem për të cilin do t’i japim kohën e nevojshme të rikuperohet. Do të mungojë për disa javë dhe natyrisht që ky është një lajm i keq për ne, por nuk mund t’i kërkojmë të sakrifikojë më shumë se kaq”, deklaroi trajneri Rose.
Më pas erdhi edhe konfirmimi nga Federata Norvegjeze e Futbollit, që nëpërmjet një komunikate njoftoi se sulmuesi nuk do të jetë pjesë e përfaqësueses për dy ndeshjet vendimtare eliminatore të Botërorit, përballë Letonisë e Holandës, pasi siç thotë, rikuperimi i Haaland do të marrë minimalisht 4 javë kohë./super.sport/