Sylvinho nuk mund ta imagjinonte kurrë se do ta gjente veten të ulur para një laptopi dhe duke marrë shënime nga ndeshjet e Wycombe Wanderers në League One.
Pas një darke me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit në Milano, ish-mbrojtësi i Arsenalit, Barcelonës dhe Manchester Cityt kishte rënë dakord të merrte në dorë kombëtaren e vendit.
Në fillim të vitit 2023, ai mbërriti në zyrën e tij në Tiranë me ndihmës ish-mbrojtësin e City dhe West Ham, Pablo Zabaleta dhe ish-mesfushorin e Middlesbrough, Doriva.
Në total, ata panë 240 klipe ndeshjesh për të arritur në një listë fillestare prej 70 futbollistësh, më pas duke e shkurtuar atë në 39 – dhe më në fund në 23 – për ndeshjen e tyre hapëse me Poloninë në kualifikueset e Euro 2024.
Mes tyre ishte edhe anësori i atëhershëm i Wycombe, Anis Mehmeti.
Ai nuk ishte paraqitur kurrë për ekipin e Shqipërisë deri në atë moment, por u thirr si pjesë e procesit të rindërtimit që Sylvinho filloi që nga dita e parë.
“Zaba [Zabaleta] luajti për një kohë të gjatë në Angli, kështu që ai ende ka kontaktet e tij atje dhe na solli disa informacione për Mehmetin”, tha Sylvinho për BBC Sport.
“Ne filluam ta shikonim atë në League One, por, menjëherë pas kësaj, ai nënshkroi me Bristol City në Championship, duke na bërë të mendojmë, ‘OK, potencialin që po shohim këtu, po e shohin edhe të tjerët”.
“Ne e dinim se kishte shumë shqiptarë si ai që luanin jashtë vendit”.
Ajo punë e palodhur dha rezultat.
Pavarësisht se humbi ndeshjen e parë 1-0 kundër Polonisë, Shqipëria qëndroi e pamposhtur deri në fund të sezonit të saj, duke përfunduar në krye të grupit dhe duke siguruar kualifikimin në Euro me një ndeshje para.
Një arritje e tillë i dha Sylvinhos statusin e heroit lokal.
Do të jetë vetëm hera e dytë në historinë e tyre që “Shqiponjat” do të jenë në Euro, pasi debutuan në vitin 2016.
“Unë jetoj në një hotel që është rreth 2 km nga ndërtesa e Federatës, kështu që ndonjëherë kthehem në shtëpi përmes një parku të bukur dhe takoj tifozët. Zakonisht vijnë tek unë dhe më thonë ‘respekte, zotëri’”, buzëqeshi trajneri 50-vjeçar.
Nuk do të jetë më e lehtë në Gjermani, pasi shqiptarët do të jenë përballë kampionëve në fuqi, Italisë, Kroacisë dhe Spanjës.
“Ne nuk do të shkojmë atje për t’u argëtuar gjithsesi”, tha Sylvinho. “Puna jonë nuk ka përfunduar dhe, nëse kemi ndonjë shans për t’u avancuar në fazën eliminatore, do të luftojmë për të në të njëjtën mënyrë që bëmë në kualifikuese”.
Pasi ka punuar më parë si asistent i kombëtares braziliane, midis korrikut 2016 dhe prillit 2019, Sylvinho nuk është i huaj për futbollin ndërkombëtar.
Megjithatë, kjo ka qenë një përvojë krejtësisht e ndryshme.
Një nga vendimet e tij të para në krye të Shqipërisë ishte heqja e formacionit 3-5-2 të miratuar nga paraardhësit e tij dhe kalimi në 4-3-3.
Kishte vetëm një çështje me të cilën ai nuk ishte mësuar në Shqipëri: ai kishte nevojë për një krah të djathtë me këmbën e majtë për ta bërë atë të funksiononte – por thjesht nuk e kishte.
Kështu ai dhe stafi i tij u zhytën në bazën e të dhënave të federatës për të kërkuar një lojtar me këto karakteristika, duke dalë me dy emra – njëri prej tyre është 29-vjeçari Jasir Asani, i cili luan në Korenë e Jugut.
“Ne po shikonim video nga koha e tij në futbollin hungarez dhe unë mendoja, ‘kush është ky?’ Ai kishte gjithçka që dëshironim: ai ishte i mrekullueshëm në situatat një-përballë-një, mund të gjuante mirë dhe ishte i shpejtë”, ka thënë Sylvinho.
“Pra, për disa të shtuna të mira, na u desh të vinim në zyrë në orën 9 të mëngjesit për të parë ndeshjet e tij për shkak të diferencës kohore”.
Në fund, gjithçka ia vlejti.
Lojtari i lindur në Maqedoninë e Veriut pati ndikim të madh dhe i përfundoi kualifikueset me tre gola dhe dy asiste.
Sylvinho beson fort se asgjë nga këto nuk do të ishte e mundur nëse ai nuk do të kishte vendosur të linte familjen e tij në Porto dhe të transferohej në një dhomë hoteli në Tiranë.
“Ata më kanë thënë se e kuptuan se kjo do të funksiononte në momentin që unë njoftova se do të doja të jetoja këtu. Më ka lejuar të kuptoj plotësisht identitetin vendas dhe të jem 100% i përqendruar te puna”, tha trajneri, takimet e të cilit kryesisht zhvillohen në italisht.
Stili i tij sulmues agresiv ka impresionuar edhe tifozët dhe ekspertët më skeptikë, të cilët fillimisht nuk ishin të bindur nga qëndrimet e tij të mëparshme në krye të Lyon dhe Corinthians./TCh
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Dy të lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...
Policia del me njoftim për aksidentet e ndodhura për shkak t...
Gjykatësi shtyn për herë të tretë dënimin e Trumpit
Guri i LDK’së: Mundeni me na paditë, por drejtësisë nuk mund...