Klea Vrella dhe Elba Kokaj janë dy skitaret e vetme që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore Evropiane për të Rinj (EYOF), që mbahen prej 9-16 shkurt në Sarajevë dhe Sarajevën Lindore të Bosnjë e Hercegovinës.
Klea vjen nga qyteti i Pejës. Është lindur më 1 nëntor të vitit 2002, ndërsa që nga mosha 7-vjeçare ka filluar të merret me sportin e skitarisë.
“Prej se isha e vogël më ka pëlqyer skijimi dhe kam pasur qejf gjithmonë të merrem me këtë sport. Dashuria për skitë ka lindur nga programet televizive”, thotë Vrella në një intervistë për ueb-faqen zyrtare të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Më parë është marrë edhe me not dhe tenis, por rrugën e suksesin e ka gjetur tek sporti i dimrit.
Ajo është kampione e Kosovës për juniore të reja në disiplinën sllallom. Vitin e kaluar, fitoi medaljen e artë në kampionatin e Kosovës për disiplinat sllallom dhe sllallom i madh. Në këto dy disiplina ajo do të garojë edhe në Sarajeva 2019.
Në muajt e fundit, falë mbështetjes financiare nga Komiteti Olimpik i Kosovës, Klea dhe Elba janë përgatitur në Erzurum të Turqisë dhe në Brod të Dragashit, për të mbushur “bateritë” për paraqitje sa më të mirë në EYOF Sarajeva 2019.
“Kemi kaluar shumë mirë në përgatitje, kushtet ishin shumë të mira. Po ashtu edhe në Brod ka pasur kushte të mira, ku kemi treguar sukses”, thotë ajo.
Klea ka garuar në gara të ndryshme ndërkombëtare, por EYOF Sarajeva 2019 do të jetë e veçantë për të. “Ka qenë ëndërr e imja të marrë pjesë në EYOF”, shprehet 16-vjeçarja, e cila shpalos edhe synimet për të ardhmen: “Synoj ta arrij rezultatin më të mirë të mundshëm, ndërsa në të ardhmen ëndërroj të përfaqësojë Kosovën edhe në Olimpiadën e seniorëve”.
Garuesja e klubit Alpi të Pejës frymëzimin për të garuar e gjenë tek idhulli i saj, dy herë kampionia e botës dhe një herë medalistja e artë Olimpike, amerikania, Lindsey Vonn.
Për Ekipin Olimpik të Kosovës, EYOF-i dimëror Sarajeva 2019, do të jetë pjesëmarrja e dytë, pas debutimit në Erzurum 2017.
Infantino: Kosova jorastësisht në Top 100 të Ranglistës së F...
Sulm me thikë në një shkollë të Zagrebit, vdes një 7 vjeçar
Aksident mes dy veturave në Sllatinë, s’ka të lënduar
Rivarrosen tri viktima të luftës që ishin në listën e person...
Gresa e nervozuar me Xuxin, e kundërshton për gjithçka
ASK: Prodhimi i thëngjillit ishte rreth 723.12 mijë ton