Kupa e Afrikës/ Favoritët ndryshuan trajner, kaluan “rastësisht” tutje dhe duhej të kërkonin një të ri

09:58 | 26 Janar 2024
L G

Tradita na ka mësuar me historitë më interesante që vijnë nga Kupa e Kombeve të Afrikës dhe një e tillë i ka ndodhur mikpritësit të këtij viti të turneut, Bregut të Fildishtë, i cili u përball me një ndryshim trajneri.

Bregu i Fildishtë fitoi vetëm tre pikë në grup dhe u duk se nuk do ta kalonin, ndonëse konsideroheshin si një nga favoritët e të gjithë turneut. Duke qenë se ishte grupi i parë në garë, dukej se Luanët nuk do ta kalonin grupin, por duke qenë se skuadrat më të mira të vendit të tretë kanë shanse për të përfunduar në fazën tjetër, kjo ndodhi në fund.

Trajneri Jean-Louis Gasset u shkarkua pas humbjes 4-0 ndaj Guinesë Ekuatoriale dhe të gjithë në këtë vend menduan se Kupa e Kombeve të Afrikës kishte përfunduar për Bregun e Fildishtë.

Megjithatë, rezultatet tjera dhe fitorja e Marokut ndaj Zambisë e shtyu Bregun e Fildishtë në raundin tjetër. Mirëpo, pak para kësaj, kjo kombëtare largoi trajnerin e saj, kështu që mbeti pa njeri në pozicion kyç në pushimin ndërmjet fazës së grupeve dhe fazës së eliminimit. Dikush duhet të gërmojë thellë në histori për të gjetur një situatë të ngjashme.

Teksa Elefantët u gjendën në një situatë të padëshiruar, ata reaguan shpejt dhe vendosën në stol Emerse Fae, një person që punonte në stafin e trajnerit të shkarkuar Gasset.

“Ne ishim vërtet të zhgënjyer me rezultatet dhe kishim frikë se nuk do të kalonim fazën e grupeve. Por, kaluam falë të tjerëve dhe tani barra është më e vogël mbi ne”, ka sqaruar Federata e Futbollit e Bregut të Fildishtë.

Gjithsesi, Bregu i Fildishtë nuk do ta ketë të lehtë në fazën tjetër, pasi aty do të luajë kundër Senegalit, kampioni në fuqi që mori maksimumin e pikëve në grupe.

Kjo është vetëm një nga historitë e pazakonta nga Kupa e Kombeve Afrikane, e cila ka nisur vetëm dhjetë ditë më parë. Ndër ato që bien në sy janë vonesa e Andre Onanës në ndeshjen e parë të kampionatit, spiunimi i kombëtares algjeriane për të cilën u arrestua një gazetar nga Bregu i Fildishtë, ndërprerja e transmetimit dhe sinjali i internetit gjatë ndeshjes së Senegalit, kur askush në botë se dinte se çfarë po ndodhte, largimi i Mohamed Salah nga gara, vonesa e kombëtares së Gambisë në turne, sjellja e turpshme e punëtorëve të sigurimit me tifozët gjatë hyrjes dhe shumë të tjera. /Telegrafi/

Të ngjashme