Kryetari i FFK-së, Ademi takoi presidentin Ceferin dhe shumë homologë në Stamboll

21:49 | 13 Gusht 2019
Arbresh Info

Presidenti Agim Ademi, gjatë qëndrimit në Stamboll, është takuar me presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferin, si dhe me homologët e tij Nihat Ozdemir nga Turqia, Davor Shuker nga Kroacia dhe Elvedin Begiq nga Bosnja e Hercegovina.

Gjatë këtij takimi presidenti Ademi është përgëzuar për serinë e shkëlqyeshme të Kombëtares sonë, si dhe për punën e mirë që po bën FFK-ja në zhvillimin e futbollit.

Gjatë bashkëbisedimit presidenti Ceferin e përgëzoj presidentin Ademi për punën dhe realizimin e programit dhe projekteve të strategjisë së re të UEFA-s, duke theksuar se FFK-ja është njëra nga federatat e para që i ka realizuar të gjitha projektet.

Po ashtu, Ceferin theksoi se Kosova si anëtarja më e re e UEFA-s gëzon kujdes të veçantë dhe përkrahje në vazhdimësi nga ky asociacion. Ndërkaq, presidenti Ademi e preku edhe temën e ndeshjeve ilegale të klubeve serbe, me ç’rast kërkoj nga UEFA që të respektohet statuti i saj në lidhje me përzierjen e ligave të shteteve tjera në territorin e një anëtari të UEFA-s, siç është tani rasti i Kosovës.

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për shtetet të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet, e që do të jenë mysafire në Kosovë për ndeshjet kualifikuese, siç është rasti me Rusinë në konkurrencën e femrave.

Me këtë rast, presidenti Ademi garantoi siguri të plotë për Rusinë dhe për çdo kombëtare tjetër, si dhe mikpritje dhe respektim të plotë të rregulloreve të UEFA-s e FIFA-s./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme