Kroos: Si më ndihmoi rrena se isha i lënduar të bëhem superyll

16:08 | 6 Gusht 2020
A. B.

Toni Kroos ka zbuluar se në fillim të karrierës e kishte gënjyer mjekun e skuadrës së Bayern Munich se ishte lënduar, dhe beson se kjo rrenë i kishte ndihmuar ta siguronte një huazim të vlefshëm larg gjigantit te Bundesligës.

Kroos, tani pjesë e Real Madridit dhe njëri prej mesfushorëve më të respektuar në futbollin modern, i lëndoi ligamentet në moshën 18-vjeçare duke luajtur me miqtë e vet, ka zbuluar vetë ai për Einfach Mal Luppen.

30-vjeçari zbulon tani se, gjatë një vizite në Rostock – ku e kishte qenë lojtar i akademisë – për t’i vizituar miqtë, ishte rrëzuar duke luajtur futboll me ta dhe e kishte çarë ligamentin, i cili ia pamundësoi futbollin për tre muaj.

Kur ishte pyetur nga mjeku i Bayernit, Hans-Wilhelm Muller-Wohlfahrt, se si e kishte lënduar ligamentin, Kroos kishte gënjyer se ishte rrëzuar duke vrapuar gjatë stërvitjeve në pyll.

Kroos zbuloi: “Deri më sot nuk kemi dëgjuar asgjë. Kur u zbuluar se e kisha çarë ligamentin, nuk ndjeva se duhet të shpjegoja se më ndodhi duke luajtur futboll. Por tani pasi ka kaluar kaq shumë kohë, nuk mund të më ndëshkojnë për këtë”.

Përfaqësuesi gjerman thotë se ai lëndim i ka ndihmuar të bëhet yll dhe të ketë karrierë kaq madhështore.

Gjatë pushimit dimëror në sezonin 2008/09, Kroos u huazua më Bayer Leverkusen për të fituar më shumë përvojë në ekipin e parë.

Kroos zuri vend në formacionin startues të Leverkusenit në sezonin 2009/10 dhe u thirr nga Kombëtarja e Gjermanisë për Kupën e Botës 2010, para se të kthehej në Bayern kur zuri vend në ekipin e parë.

Sipas Kroosit, ai lëndim i ndihmoi të largohet nga Bayerni, sepse nëse nuk do të lëndohej, ai do të ishte mbajtur në skuadër si rezervist dhe nuk do t’i kishte pasur mundësitë e njëjta.

“Bayerni nuk do të më kishte lejuar të largohesha, nëse do të isha shëndosh e mirë. Fillimisht nuk luaja shumë dhe kur ndodhi lëndimi ata më lejuan të shkoj në Leverkusen”, shtoi ai. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme