Kosova U15 triumfoi në turneun e mbajtur në Shkup

18:42 | 30 Gusht 2019
Arbresh Info

Kombëtarja e Kosovës U15 e ka triumfuar në turneun zhvillimor të UEFA-s që u mbajt në Shkup.

Pas fitoreve kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, djelmoshat e drejtuar nga Gazmend Haliti në ndeshjen e fundit dhe vendimtare për pozitën e parë barazuan me Malin e Zi, rezultat ky i cili ishte i mjaftueshëm për ta mbyllur këtë turne me triumf.

Kësisoj, Kosova e mbylli turneun me 7 pikë, derisa Mali i Zi, me 5 pikë.

Pas ndeshjes përzgjedhësi Haliti u shpreh i lumtur me atë çfarë tregoi ekipi i tij në këtë turne.

“Ishte kjo një ndeshje shumë e rëndesishme, e cila e vendoste fituesin e turneut. Duke pasur parasysh se barazimi na mjaftonte ne luajtëm me një mbrojtje të ngjeshur, duke e kërcënuar kundërshtarin me kundërsulme. Krijuam disa mundësi, por nuk i konkretizuam, por fatmirësisht edhe në repartin e mbrojtjes ishim të mirë, derisa në minutat e fundit ishte portieri Erion Mala, i cili me intervenimet e tij të suksesshme na shpëtoi nga humbja. I përgëzoj futbollistët për angazhimin gjatë gjithë turneut, pasi treguan disiplinë dhe karakter në të gjitha ndeshjet”, ka theksuar Haliti./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme