Kosova pëson nga Estonia

23:14 | 6 Korrik 2019
Arbresh.info

Kosova U-18 (F) ka pësuar nga Estonia me rezultat 100:35 (18:13, 43:4, 16:7, 23:11), në Kampionatin Evropian, Divizioni B, që po zhvillohet në Maqedoninë Veriore.

Për dallim nga ndeshja e parë ndaj Sllovenisë, ku kishin shumë emocione, vashat e Kosovës e nisën ndeshjen mirë ndaj Estonisë, duke qenë të barabarta në çerekun e parë dhe duke luftuar për çdo top. Sidoqoftë, ky çerek përfundoi 18:13 për Estoninë.

Në periudhën e dytë, Estonia shfrytëzoi përvojën dhe gjatësinë, derisa shkoi në pushim me rezultat 61:17.

Edhe në periodën e tretë, Kosova ishte e barabartë në fushë për shtatë minuta, por në fund Estonia sërish u shkëput, ku rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 77:24.

Edhe në periodën e fundit nuk mungoi angazhimi nga vashat e Kosovës, por që nuk mjaftoi për të ngushtuar epërsinë. Në fund Estonia fitoi me rezultat 100:35.

Dea Pushkolli ishte më e dalluara te Kosova me dhjetë pikë e tetë kërcime, derisa u ndihmua nga Tringa Ukaj me shtatë pikë e pesë kërcime.

Arba Hashani shënoi gjashtë pikë, kurse Enisa Kamerolli dhe Melisa Ibrahimi nga katër. AnnaGret Asi ishte më e mira te Estonia me 16 pikë.

Në Grupin A, Sllovenia dhe Finlanda kanë nga katër pikë, Estonia dhe Danimarka nga tri, si dhe Norvegjia e Kosova nga dy, pas dy xhirove të zhvilluara. Kosova në ndeshjen e ardhshme do të ballafaqohet me Danimarkën, të dielën nga ora 16:30.

Synimi i vashave kosovare është të marrin përvojë nga ky kampionat, derisa janë më të reja në moshë se kundërshtaret e tyre dhe më pak përvojë në garat ndërkombëtare.

Orari i Kosovës

Grupi A

Kosova-Sllovenia             12:97

Estonia-Kosova                100:35

E diel (7 korrik)

16:30 Kosova-Danimarka

E martë (9 korrik)

18:45 Norvegjia-Kosova

E mërkurë (10 korrik)

14:15 Kosova-Finlanda

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme