Kombëtarja e Kosovës e ka kryer stërvitjen e dytë dhe të fundit para miqësores me Jordaninë, që zhvillohet nesërmbrëma në orën 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Edhe në stërvitjen e sotme përzgjedhësi Primozh Gliha u përqendrua në taktikën e lojës, teksa punoi veçmas në repartin e mbrojtjes dhe atë të mesfushës.
Paraprakisht në konferencën për media folën përzgjedhësi Gliha dhe portieri Samir Ujkani. Ky i fundit fillimisht e falënderoi ish-përzgjedhësin Bernard Challandes për kontributin e tij për Kosovën, teksa theksoi se dy ndeshjet e fundit të këtij viti duhet t’i shërbejnë ekipit për ta rikthyer mentalitetin e fituesit për ndeshjet e edicionit të ri në Ligën e Kombeve që nisin në mars të vitit të ardhshëm.
“Kemi dy ndeshje që janë shumë të rëndësishme. Sidomos, ndeshja me Greqinë është e rëndësishme për ne, që të marrim një rezultat pozitiv.
E ky rezultat pozitiv, do të na ndihmonte ta kthejmë mentalitetin tonë fitues dhe pastaj të përgatitemi për vitin tjetër.
Qëllimi ynë është të përgatitemi sa më mirë për Ligën e Kombeve. Lojtarët që vijnë duhet të japin gjithmonë maksimumin, për të marrë rezultate.
Duhet të kthehet atmosfera pozitive që vjen nga rezultatet e mira, fitoret apo barazimet. Kohët e fundit kemi humbur ndeshjet, ndoshta edhe pa meritë.
Duhet të punojmë sa më shumë dhe të përgatitemi sa më mirë kur të vijnë ndeshjet e Ligës së Kombeve”, ka thënë Ujkani.
Ndërkaq, përzgjedhësi Primozh Gliha pasi bëri një prezantim të biografisë së tij, theksoi se e njeh mirë ambientin tek Dardanët dhe mentalitetin e kosovarëve.
“E njoh mirë Kosovën sepse këtu kam bërë ushtrinë në vitet e 80-ta. Kam shumë miq këtu dhe e kam ndjekur rregullisht edhe Kombëtaren e Kosovës. Jam i vendosur për të provuar të fitojmë në secilin ndeshje që është e mundshme. Ndoshta, duket të ndryshojmë në aspektin e respektimit të kundërshtarëve, pasi po i respektojmë si shumë. Dhe, nëse ndryshojmë këtë, atëherë besoj se do të marrim rezultate më të mira”, ka thënë Gliha.
Ai ka thënë se pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për miqësore apo ndeshje zyrtare, ekipi duhet ta japë maksimumin e tij.
“Për mua nuk ka ndeshje miqësore, pasi çdo sfidë është e rëndësishme. E them këtë sepse çdo fitore e ngrit moralin e ekipit. Në ndeshje me Jordaninë duhet ta kërkojmë fitoren dhe të ngremë moralin e ekipit dhe kjo është mënyra e vetme për të ardhur te rezultatet e mira”, ka shtuar trajneri slloven.
Ai ka thënë se Kosova ka sulm shumë të mirë, por duhet ta përmirësojë lojën në mbrojtje.
“Kur kam ardhur në Kosovë pas ndeshjes me Lituaninë presidenti Ademi më ka pyetur se si më duket ekipi dhe i kam thënë se në fazën sulmuese Kosova për Slloveninë është Brazil, por në fazën e mbrojtjes Sllovenia për Kosovën është Gjermani. Dhe kjo është ajo çfarë dua ta përmirësoj në ekip. Pra, duhet të bëjmë ndryshim në aspektin e mentalitetit të ekipit dhe të marrim rezultatet më të mira të mundshme”, ka nënvizuar Gliha. /arbresh.info/
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës
Ngritet aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të forcave serbe për...
Xheneta- Gjestit: A të kujtohet puthja jonë e parë?
Salah i lumtur që futet në historinë e Liverpoolit
Sot nënshkruhen marrëveshjet për certifikim të produkteve
Putin takohet me kryeministrin sllovak në Moskë, bisedojnë p...