Kosova e përfundon stërvitjen në ‘Riza Lushta’, këto janë deklarata e futbollistëve

21:07 | 29 Gusht 2017
Arbresh.info

Kosova sot në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë mbajti seancën e parë stërvitore në prag të ndeshjes kundër Kroacisë në Zagreb, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Rusia 2018”.

Në këtë stërvitje kryesisht stafi i trajnerëve të kombëtares u fokusua në harkimet, situatat e mbrojtjes, duke marrë për bazë taktikën dhe sulmin e fortë dhe të ashpër që ka rivali, por duke nxjerrë edhe mësime nga ballafaqimi i kaluar.

Terreni ishte i mirë dhe atmosfera brenda ekipit është mjaft e mirë.

Po ashtu sipas fjalëve të ekipit mjekësor dhe dr. Murat Berishës gjendja e futbollistëve është e mirë. Nesër, Kombëtarja do të ketë stërvitjen e dytë në orën 17.00 në po të njëjtin stadium. Pas stërvitjes folën disa prej futbollistëve: “Jam i lumtur që mora ftesën nga përzgjedhësi Bunjaku dhe që me besoj sepse kam pritur që një ditë do të me ftoj dhe të mbroj ngjyrat e shtetit tim E di që do të kemi një ndeshje të vështirë, por ne do të angazhohemi maksimalisht”, ka thënë mbrojtësi Ardin Dallku i ftuar për herë të parë nga Kosova.

“Jemi të vetëdijshëm se kemi të bëjmë me një kundërshtar që është superfuqi në futbollin botëror, por ne do të mundohemi të mbyllim korridoret dhe të mos lejojmë të shënojnë. Na mbetet të japim gjithçka nga vetvetja që të përballojmë këtë duel tejet të vështirë”, deklaroi mbrojtësi Bajram Jashanica.

Ndryshe, mesfushori Valon Berisha deklaroi: “Na pret një duel i vështirë. Kroacia ka një ekip të jashtëzakonshëm, por neve na mbetet të punojmë dhe të angazhohemi me të gjitha forcat që të ndalim sulmet e kroatëve dhe eventualisht t’i kundërpërgjigjemi me kundërzbritje. Kemi një atmosferë të mirë dhe kjo na bën të shpresojmë për rezultat të mirë”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme