Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, me në krye presidentin Ismet Krasniqi, kanë pritur sot delegacionin e Komitetit Olimpik Kombëtar të Shqipërisë, të kryesuar nga presidenti, Fidel Ylli.
Të pranishëm në takim ishin edhe drejtuesit tjerë të KOK-ut, sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, nënpresidentët Gazmend Maxhuni, Milaim Kelmendi dhe Mimoza Shkodra Bislimi, si dhe stafi.
Presidenti Ylli shoqërohej nga sekretari i përgjithshëm, Stavri Bello, dhe anëtarët tjerë të stafit.
Takimi i dy presidentëve ishte i pari që prej zgjedhjes së tyre në krye të dy institucioneve më të larta sportive në Kosovë dhe Shqipëri, për çka të dy uruan njëri-tjetrin.
Presidenti Krasniqi, duke falënderuar mysafirët nga Shqipëria për vizitën theksoi se bashkëpunimi i KOK-ut me KOKSH-in do të fuqizohet edhe më shumë.
“Që prej ardhjes në KOK, synim i imi ka qenë që asnjë aktivitet jashtë vendit të mos e zhvillojë pa u takuar fillimisht me drejtuesit e KOKSH-it dhe jam i lumtur që ky takim u realizua sot. Jam shumë mirënjohës për rolin e rëndësishëm që e ka luajtur Shqipëria në zhvillimin e sporit të Kosovës. Ndikimi i Shqipërisë dhe KOKSH-it ka qenë shumë i frytshëm në procesin e anëtarësimit të KOK dhe federatave sportive në KON dhe federatat ndërkombëtare. Bashkëpunimi KOK dhe KOKSH ka ekzistuar edhe më parë, por ne do të punojmë për të fuqizuar këtë bashkëpunim”, theksoi mes tjerash presidenti Krasniqi.
I pari i KOK-it theksoi se institucioni që drejton është në vlugun e përgatitjeve për Lojërat Olimpike Tokio 2020, ku deri më tani kemi nëntë sportistë, prej të cilëve gjashtë me normë olimpike, të cilët do të kryesohen nga krenaria jonë, Majlinda Kelmendi, derisa shprehu optimizmin edhe për norma tjera nga karate dhe boksi. Presidenti deklaroi se krahas Tokio 2020, lajm i mirë është që në Lojërat e ardhshme Olimpike Dimërore Pekini 20202, kemi dy sportistë që kanë plotësuar kriteret për normë, e që ky numër mund të shkojë në tre.
Nga ana e tij, presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, duke shprehur kënaqësinë e realizimit të këtij takimi, vlerësoi lartë të arriturat e sportit tonë.
“Jo vetëm që jeni njohur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, por Kosova është prezantuar me shumë dinjitet në arenën ndërkombëtare, duke nxjerrë një kampione olimpike (Majlinda Kelmendi), që është nderë jo vetëm për Kosovën, por gjithë shqiptarinë. Sot erdhëm për të diskutuar për projekte të përbashkëta, për shkëmbime dhe përvoja të përbashkëta, pasi kemi të njëjtat zakone, tradita dhe pavarësisht që kemi dy flamuj, mendoj që sportin duhet ta fusim në rrugën e duhur që shqipërarët të bashkohen përmes sportit. Kosova me sport ka hyrë në majat e sportit botëror, prandaj bashkarisht përmes sportit do të rrisim imazhin e vendeve tona, duke bashkëpunuar në projekte të ndryshme”, deklaroi i pari i KOKSH-it.
Të dy presidentët u pajtuan që të bëhen bashkë, në mënyrë që dy Komitetet Olimpike të kenë fuqinë e tyre para Asamblesë Zgjedhore të Komitetit Olimpik të Evropës.
Të dyja palët diskutuan edhe tema të ndryshme të bashkëpunimit, të cilat do të hidhen edhe në një memorandum bashkëpunimi që pritet të nënshkruhet ndërmjet dy Komiteteve Olimpike.
Në fund, u shkëmbyen edhe dhurata mes dy palëve./arbresh.info/
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...