Komiteti Olimpik Evropian e viziton Kosovën

17:12 | 6 Korrik 2017
Arbresh.info

Pamela Vipond, zëvendësdrejtoreshë e Solidaritetit Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe Gianluca De Angelis, menaxher administrativ në Komitetin Olimpik Evropian (KOE), po e vizitojnë Komitetin Olimpik të Kosovës, raporton KOK.

Të dy do të qëndrojnë për disa ditë në Kosovë, ku po zhvillojnë takime me stafin e Komitetit Olimpik të Kosovës, për vazhdimin e bashkëpunimit që ka KOK-u me Solidaritetin Olimpik të KON-it dhe Komitetin Olimpik Evropian.

Mysafirët u pritën nga stafi i KOK-ut, me në krye presidentin Besim Hasani, i cili falënderoi përzemërsisht zyrtarët e KON-it dhe KOE-s për bashkëpunimin e frytshëm deri më tani.

Ai iu tregoi për sfidat e KOK-ut, planin strategjik 2015 – 2020, kurset bazike për administratorët e sportit, të cilat deri më tani janë organizuar me tetë federata, derisa deri në fund të vitit planifikohen të mbahen edhe gjashtë të tjera, kurset për trajnerë, të cilat organizohen në bashkëpunim me SO të KON-it, si dhe ngjarjet e organizuara këtë vit dhe ato që do të organizohen nga KOK-u, etj.

Po ashtu, u bisedua për mënyrën e bashkëpunimit dhe mbështetjes nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar për Lojërat Olimpike Verore për të rinj, “Buenos Aires 2018” dhe Lojërat Olimpike Dimërore për të rinj, “Lozana 2020”, në mënyrë që garuesit tanë të kenë paraqitje sa më të mirë.

Më pas, Hasani i njoftoi me mënyrën e financimit të KOK-ut, shpërblimet që ndanë për sportistët që fitojnë medalje, bursat për shpresat olimpike, si dhe infrastrukturën sportive, ku qeveria ka në plan ndërtimin e një qendre sportive.

Vipond dhe Angelis u shprehën të ngazëllyer me vizitën në KOK, që njëherisht është vizita e parë e tyre në Kosovë.

Ata përgëzuan KOK-un për punën e deritashme dhe korrektësinë e treguar me SO të KON-it dhe KOE-n, derisa ata u interesuan për sistemin e punës, statusin që ka Majlinda Kelmendi, sidomos pas fitimit të medaljes së artë në LO “RIO 2016”, dhe mënyrën e vazhdimit të bashkëpunimit edhe në të ardhmen.

“Është kënaqësi e madhe për mua të jem këtu. Kam planifikuar të bëjë këtë udhëtim prej dy vitesh dhe më në fund gjeta mundësinë të vijë në Kosovë. Përshtypjet e para janë se Komiteti Olimpik i Kosovës është mirë i organizuar. Këtu ka shumë mundësi për të bashkëpunuar me programet që ka Solidariteti Olimpik. Ne do të shohim mundësitë se si mund të përfitoni në të ardhmen për sportistët tuaj, trajnerët dhe për Lëvizjen Olimpike dhe në ditët e ardhshme do të bisedojmë për këtë, por përshtypjet e para janë pozitive”, tha Vipond.

I ngazëllyer me vizitën në Kosovë është edhe Gianluca De Angelis, menaxher administrativ i Komitetit Olimpik Evropian.

“Isha entuziast të takoja stafin që drejtohet nga Besim Hasani, dhe jam i sigurt se do të gjejmë mënyrën se si të përmirësojmë edhe më shumë bashkëpunimin dhe shpresoj se KOK-un një ditë do ta shohim si model për Komitetet tjera në Evropë”, u shpreh italiani Angelis, për të cilin Kosova është vendi i 50-të që e viziton në Evropë.

Me z.Angelis do të zhvillohen biseda edhe para pjesëmarrjes së Kosovës në Festivalin Olimpik Evropian për të rinj (EYOF), “Gyor 2017”, që mbahet në Hungari, prej 23-30 korrik, si dhe për ngjarjet e ardhshme të organizuara nga Komiteti Olimpik Evropian.

Znj.Vipond dhe z.Angelis do të ligjërojnë edhe në kursin bazik të administratorëve të sportit për Federatën e Shenjëtarisë e Kosovës, që fillon të premten (07.07.2017).

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme