Google ADS

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme për zhvillimin e futbollit në Kosovë

23:45 | 26 Nëntor 2024
D.H

Gjatë ditës së sotme është mbajtur mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në këtë mbledhje u shqyrtuan dhe u morën vendime të rëndësishme që lidhen me zhvillimin dhe avancimin e futbollit në të gjitha nivelet, njofton FFK-ja.

Një ndër pikat kryesore të diskutimit ishte analiza e ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës, me fokus në ndeshjen e ndërprerë me Rumaninë, si dhe performanca e ekipeve kombëtare të grupmoshave dhe Kombëtares së femrave.

U diskutua gjithashtu për kampionatin në të gjitha ligat e Kosovës, i cili po i afrohet përfundimit të stinorit vjeshtor, me qëllim të evidentimit të arritjeve dhe sfidave për të përmirësuar mbarëvajtjen e garave.

Gjatë kësaj mbledhjeje Komiteti Ekzekutiv shqyrtoi progresin e projekteve të ndërtimit të fushave të futbollit dhe zhvillimeve infrastrukturore brenda FFK-së.

Kësisoj u miratuan disa projekte:

-Vazhdimi i investimeve në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.

-Vazhdimi i projektit të fushave stërvitore

-Fillimi i punimeve në Kampin e Batllavës, për të cilin u shpreh falënderim për KFOR-in për kontributin në rregullimin e bazës.

-Kampi sportiv në Leposaviq, një tjetër projekt me rëndësi për zgjerimin e kapaciteteve sportive dhe gjithëpërfshirjes në vendin tonë.

-Ndërtimi i Shkollës së Mesme të Futbollit në Sllatinë, për të cilën u miratua projekti dhe fillimi i procedurave.

-Stadiumi i mbuluar për futboll të madh, që do të shërbejë sidomos gjatë sezonit të dimrit, si dhe salla multifunksionale sportive, kjo e fundit në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, e cila do të shërbejë për futsall, basketboll, hendboll, volejboll dhe sporte marciale.

-Fusha e Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prishtinës në Bërnicë, një projekt tjetër që pritet të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e futbollit në këtë regjion.

Një pikë tjetër e rëndësishme ishte miratimi i planit për riorganizimin dhe reformimin e shtatë Lidhjeve Rajonale të Futbollit. Kjo iniciativë ka për qëllim përmirësimin e menaxhimit të garave dhe zhvillimin dhe progresin e futbollit në të gjitha regjionet e Kosovës.

Në këtë mbledhje u vendos edhe për organizimin e ceremonisë tradicionale të shpalljes së laureatëve për vitin 2024, ku do të vlerësohen futbollistët, trajnerët dhe klubet që kanë spikatur gjatë këtij viti. Po ashtu, u caktuan edhe datat për pritjet e fundvitit për gazetarët dhe partnerët e FFK-së./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme