Federata e Futbollit e Gjibraltarit e ka lavdëruar ekipin kombëtar të Kosovës për arritjet dhe paraqitjet në ndeshjet e zhvilluara që nga pranimi në FIFA e UEFA, duke i vlerësuar “Dardanët” si kundërshtarë të vështirë.
Kosova dhe Gjibraltari e ndajnë një histori unike futbolli. Federatat e të dyja vendeve u bënë anëtare të FIFA-s në Kongresin e 66-të të FIFA-s në në Mexico City më 13 maj të vitit 2016.
Sot do të jetë hera e parë ndonjëherë, që Kombëtarja e Kosovës dhe Gjibraltarit do të përballen mes vete në fushën e lojës. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në orën 18:00.
Përkundër që janë anëtarësuar në FIFA në të njëjtën ditë, ekipi kombëtar i Kosovës ka shënuar ngritje shumë më të shpejtë sesa Gjibraltari, gjë për të cilën janë të vetëdijshëm edhe në Federatën e Futbollit të Gjibraltarit.
“Në fushën e lojës, ngritja e Kosovës ka qenë thjesht senzacionale. Në ndeshjen e tyre të fundit kualifikuese për Kampionat Evropian, ata humbën me rezultat 5:3 kundër Anglisë në stadiumit e Southamptonit “St. Mary’s”, megjithatë ata janë në pozitë të mirë për t’u kualifikuar nga Grupi A. Ata për momentin radhiten të tretit pas pesë ndeshjeve, me dy fitore, dy barazime dhe vetëm humbjen kundër Anglisë”, shkruan Federata e Gjibraltarit.
“Përveç paraqitjeve të shkëlqyeshme në Grupin A të kampanjës kualifikuese për EURO 2020, Kosova e ka humbur vetëm një nga 16 ndeshjet e fundit. Ata mund të thuhet se janë Kombëtarja më në formë në Evropë!”.
“Me katër fitore dhe katër barazime, ata e kryesuan grupin e tyre në Ligën e Kombeve me lehtësi. Me lojtarët të cilët i kanë mbushur ligat më të mirë të Evropës, si sulmuesi Vedat Muriqi me Fenerbahcen, portieri Arijanet Muriç me Manchester Cityn (i huazuar në Nottingham Forest) dhe mesfushori Valon Berisha që luan për Lazion”.
“Megjithatë, Gjibraltari do të niset me optimizëm në këtë ndeshje. Trajneri Julio Ribas e ka marrë skuadrën e tij më të fuqishme të mundshme në Prishtinë për miqësoren. Sulmuesi Lee Casciaro është kthyer në skuadër pasi mungoi në ndeshjet e shtatorit shkaku i një lëndimi. Louie Annesley është i vetmi lojtar që po mungon, shkaku i një problemi në shputën e këmbës”.
“Kur ndeshja të nisë në orën 18:00, Gjibraltari do të jetë gati. Do të jetë gati për fazën e radhës në transformimin që Julio Ribas po ia bën ekipit kombëtar të Gjibraltarit, me plot futbollistë të përkushtuar dhe të zjarrtë, që kanë formuar një familje me lojtarët e rinj dhe ata me më shumë përvojë”.
Julio Ribas u emërua trajner i Gjibraltarit më 1 korrik të vitit 2018. Gjatë kësaj periudhe në postin e trajnerit, 62-vjeçari s’ka shijuar as fitore e as barazim, pasi që i ka humbur të gjitha gjashtë ndeshjet e zhvilluara. /Gazeta Express/
Netanyahu në gjykatën e Tel Avivit për të dëshmuar mbi akuza...
Ushtarët shqiptarë nderohen me Medaljen NATO për shërbim të ...
Gjesti i lë një trëndafil Xhenetës pranë kokës
Liverpooli e bën prioritet transferimin e yllit të Brightoni...
Luginasit ankohen për gjoba në kufirin e Kosovës, kryetari i...
Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin ...