Kombëtarja e Kosovës U16 e vajzave e ka nisur me fitore turneun zhvillimor të UEFA-s, që po mbahet në Estoni.
Në ndeshjen e parë të këtij turneu, vajzat e përzgjedhëses Xhuli Berisha kanë treguar karakter të fortë dhe cilësi, duke e përmbysur rezultatin dhe triumfuar ndaj nikoqirit Estonisë me shifrat 5:3, përcjell Arbresh.info.
Ndonëse nga minuta e 16-të kanë luajtur me një lojtare më pak pas përjashtimit të portieres Bleona Mustafa, ndeshja nisi me gol të shpejtë nga vendaset, të cilat kaluan në epërsi që në minutën e 4-t.
Mirëpo, vajzat tona reaguan shpejt dhe vetëm katër minuta më vonë, në minutën e 8-të, Romesa Shumolli barazoi rezultatin në 1:1.
Estonia arriti të shënojë edhe dy herë të tjera në pjesën e parë, duke shfrytëzuar epërsinë numerike në fushë dhe duke shkuar në pushim me epërsi 3:1.
Por në pjesën e dytë, Kosova tregoi fytyrën e saj të vërtetë. Krenare Kelmendi shënoi në minutën e 47-të për të ngushtuar rezultatin në 3:2.
E vendosur për të mos u ndalur, Kosova gjeti barazimin në minutën e 65-të me golin e Jonida Godenit, ndërsa vetëm dy minuta më pas, Krenare Kelmendi realizoi golin e saj të dytë personal, duke e përmbysur plotësisht rezultatin në 3:4 për Kosovën.
Fitoren e siguroi Olsa Kuçi me një gol të bukur në minutën e 70-të, duke vulosur shifrat përfundimtare 5:3 në të mirë të vajzave tona.
Një paraqitje e shkëlqyer dhe një fitore shumë e rëndësishme për këtë grup premtues të lojtareve, që dëshmuan potencialin dhe përgatitjen serioze që kanë bërë nën drejtimin e stafit.
Ndeshjen e radhës Dardanet e reja do ta zhvillojnë më 1 maj kundër Sllovakisë, derisa më pas luajnë kundër Islandës, më 4 maj.
Ushtarët turq të KFOR-it vazhdojnë patrullimet në Kosovë
Nis protesta e bizneseve, bllokohet hyrja në Prishtinë nga F...
Kuvendi në ngërç, Bislimi: VV-ja s’ka nevojë për partnerë
Kurti thotë se prania e forcave serbe në kufi është reagim n...
Kurti kritikon Odën Ekonomike për protestën: Koha e barrikad...
Tregu i lirë energjetik, Rizvanolli: ZRrE njoftoi se janë gj...