Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka nisur sot përgatitjet për dy ndeshjet miqësore kundër Estonisë, që do të zhvillohen më 29 nëntor dhe 2 dhjetor në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 13:00.
Futbollistet dardane, nën drejtimin e përzgjedhësit Sami Sermaxhaj, janë shfaqur të motivuara dhe me atmosferë pozitive në stërvitjen e parë, duke u fokusuar maksimalisht në përgatitjet për këto dy teste të rëndësishme.
Krahas aspektit miqësor, këto ndeshje do të shërbejnë si një mundësi e mirë për konsolidimin e konceptit të lojës në prag të ndeshjeve të Ligës C në Ligën e Kombeve, që nisin në shkurt të vitit të ardhshëm, e ku Kosova bën pjesë në grup me Maqedoninë e Veriut dhe Letoninë.
Përzgjedhësi Sami Sermaxhaj ka theksuar rëndësinë e këtyre miqësoreve për të vlerësuar formën e futbollisteve dhe për të ndërtuar një ekip sa më të kompletuar për ndeshjet e Ligës së Kombeve.
“Përveç anës miqësore, kemi dy teste të mira që do të na shërbejnë për të parë formën e lojtareve. Kemi bërë një grumbullim të mëparshëm dhe tani kemi afruar edhe tetë lojtare të reja. Afërsisht kemi kompletuar 90 përqind të lojtareve potenciale për Kombëtaren A dhe po i testojmë. Nga Kombëtarja U19 kemi tri-katër futbolliste me potencial të lartë që së shpejti do t’i bashkohen ekipit A, por aktualisht janë të angazhuara në kualifikimet evropiane”, ka thënë Sermaxhaj.
Ai shtoi se përgatitjet janë fokusuar në arritjen e një ekipi konkurrues për Ligën C, me synimin që Kombëtarja e Kosovës të rikthehet sërish në Ligën B.
“Herën e kaluar kemi zhvilluar lojë testuese me Kombëtaren U19, ku kemi parë taktikat e trajnerit të ri. Tani kemi një kundërshtar më të fortë, siç është Estonia, dhe mund të përmirësojmë disa gjëra. Atmosfera është shumë e mirë dhe besoj se do të kemi një grumbullim të suksesshëm. Qëllimi ynë është të rikthehemi në Ligën B dhe të fitojmë ndeshjet kundër Maqedonisë së Veriut dhe Letonisë”, tha Erëleta Memeti.
Edhe Donjeta Halilaj u shpreh optimiste për paraqitje të mira në dy ndeshjet kundër Estonisë: “Kjo është stërvitja ime e parë me trajnerin e ri. Miqësoret janë shumë të rëndësishme, pasi trajneri do të ketë mundësi të shohë formën tonë dhe ku është ekipi. Besoj se do të jemi gati për sfidat që na presin dhe do të arrijmë synimin tonë për t’u rikthyer në Ligën B”.
Lewandowski në kërkim të golit të 100 në Ligën e Kampionëve
Trump ashpërson tonin dhe vendimet, rrit tarifat ndaj Kinës,...
“Jam shumë pishman që të kam dhënë mundësi”, Xheneta diskuto...
Kurti mori pjesë në akademinë përkujtimor dhe në ceremoninë ...
Nis me tensione protesta e opozitës
Shfaqen forca të shumta të policisë para nisjes së protestës...