Google ADS

Klubet italiane kërkojnë dënim për Interin, Milanin dhe Juventusin

10:34 | 25 Prill 2021
A. B.

Efektet e “tërmetit” që shkaktoi krijimi i Super Ligës europiane për klube vijojnë të ndjehen ende dhe së fundi me to do të duhet të përballen tre klubet italiane nismëtare, Inter, Juventus e Milani.

Kjo pasi një pjesë e madhe e klubeve të kampionatit italian, plot 11 prej tyre kanë kërkuar nga Liga e Serisë A dhe Federata Italiane e Futbollit, që të marrin masa ndaj tre klubeve që hodhën firmën si nismëtare të Superligës.

Në kërkesën e firmosur nga 11 klubet, kërkohet nga presidenti i Ligës së Serisë A që të marrë në konsideratë aktin e bërë nga tre klubet e mëdha italiane dhe të vërë përballë pasojave ata dhe drejtuesit e tyre të lartë.

“Këto tre klube kanë krijuar në fshehtësi një ligë tjetër, duke shkaktuar dëme imazhi dhe për më tepër, asnjëra prej tyre nuk është tërhequr plotësisht nga nisma, çka do të thotë se në të ardhmen mund ta aktivizojnë sërish idenë e tyre”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e klubeve.
Nga të gjithë klubet e Serisë A, vetëm Napoli, Lazio, Fiorentina, Atalanta dhe Verona nuk iu bashkuan nismës për të kërkuar ndëshkimin e Interit, Milanit dhe Juventusit për pjesëmarrjen në krijimin e Super Ligës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme