Vetëm diçka më shumë se një muaj pas zhgënjimit të tmerrshëm që pësuan pas sfidës së humbur me Italinë, pas gjuajtjeve të 11-metërshave, për më tepër brenda në Wembley, në finalen e madhe të edicionit të 16-të të kampionatit evropian, anglezët i rikthehen shpejt kompeticionit të tyre më të dashur.
Klubet e Premier League-s bëhen gati për start dhe sezoni i ri përfaqëson një edicion jubilar, pasi do të jetë i 30-ti në historinë e Premiership-it Anglez, që nga viti 1992, kur edhe kampionati vendas u reformua për t’u shndërruar dalëngadalë në aktivitetin më të ndjekur në glob.
Në vitet ‘80-’90, Serie A ngjante si një kampionat botëror, ku çdo të diel luante pjesa më e madhe e “yjeve” të globit, ndërsa më vonë, në vitet e para të mijëvjecarit të ri, Primera Division fitoi ndjeshëm terren, për të kulmuar me dyshen Lionel Messi – Cristiano Ronaldo te Barcelona dhe Reali i Madridit. Tani nuk ka më pikë dyshimi që Premier League përfaqëson kampionatin më të bukur e njëherësh edhe më spektakolar në rruzull.
Organizatorët e kompeticionit elitar në Ishull në rang klubesh investuan fuqishëm ndër vite dhe ia dolën mbanë për të krijuar një produkt unik, duke tërhequr vëmendjen dhe fituar respektin e fansave pa fund anembanë globit. Tani kampionati anglez ngjan vërtet si “toka e premtuar” për shumë e shumë futbollistë dhe jo vetëm në aspektin e nivelit të pagave të ekzagjeruara.
Në Ishull, prej kohësh është zhvendosur një pjesë e mirë e futbollistëve apo dhe trajnerëve më të mirë në planet. Madje sikur të mos mjaftonte kjo një efekt i tillë ndihet prej kohësh dhe ky shndërrim total ka ndihmuar për strukturimin në mënyrë të shkëlqyer të klubeve, që po investojnë fort gjithashtu edhe tek akademitë, deri në atë pikë sa një pjesë e mirë e lojtarëve janë të shtrënguar për të lënë Ishullin, për të gjetur hapësira dhe luajtur në kampionatet më të rëndësishme të Kontinentit të Vjetër.
Kështu, skuadrat spanjolle kishin fituar plot 7 trofe përgjatë dekadës në Champions, ndërsa klubet angleze mbroheshin thjesht me triumfin e Chelsea-t në vitin 2012, brenda në “Allianz Arena” ndaj Bajernit të Mynihut, ndërkohë aktualisht Liverpooli dhe Chelsea kanë ngadhënjyer në dy nga tri edicionet e fundit të Championsit, duke konfirmuar rritjen e jashtëzakonshme edhe në aspektin e rezultateve, megjithëse për hir të së vërtetës bilanci në përballjet e drejtpërdrejta dhe sfidat me eliminim me klubet e Primera Division vazhdon të jetë tepër negativ e në njëfarë mënyre reflektohet edhe në Europa League, ku përsëri klubet e Temporadas ia kanë dalë mbanë për të triumfuar në 7 nga 10 edicionet e fundit.
Pra diskutimi në lidhje me kampionatin më të fortë në Evropë ka vend për debat dhe mund të shtyhet në kohë, kjo ndoshta për shkak të mënyrës se si po dominon City, monopolizimit apo dhe shpenzimeve pa fre të Grupit Abu Dhabi, pasi “Zitizens” kanë fituar 5 nga 10 edicionet e fundit të Premiershipit Anglez. Sezonin e kaluar, për shembull, Pep Guardiola, nuk kishte shumë nevojë për mbrojtës, duke parë organikën e tejmbushur, megjithatë trajneri katalanas vetëm sa kërciti gishtat dhe Khaldoon Al Mubarak iu përgjigj pa hezituar, duke shpenzuar plot 68 milionë euro për qendërmbrojtësin portugez të Benficas, Ruben Dias. Rezultati dihet. 24-vjeçari u shpall lojtari më i mirë i sezonit dhe “Sky Blues” fituan titullin me 12 pikë më shumë se United, për t’u kurorëzuar për herë të tretë në katër vitet e fundit të Premier league-s.
Në fakt City nuk e nisi mirë kampionatin, por dëmtimet e shumta, që sollën dobësimin e kundërshtarëve, gabimet e të tjerëve në seri, apo dhe konsolidimi i repartit të prapavijës bënë që nga mesi i dhjetorit ekipi i Guardiolës të rreshtonte plot 15 fitore radhazi. Periudhë kohe ku “Sky Blues” pësuan vetëm pesë gola gjithsej. Në fund kampionët në fuqi të Liverpoolit, pasi lëshuan fronin, u shtrënguan për të fituar pesë takimet e fundit për të kapur në kohë trenin Champions, pak a shumë si edhe Chelsea i drejtuar nga trajneri Thomas Tuchel, ndonëse Roman Abramovich investoi gati çerek miliardë pound në fillim të sezonit për të forcuar ekipin.
Për të dytin vit radhazi Leicester City humbi në mënyrë të pabesueshme me fotofinish Zonën Champions, pavarësisht avantazhit të konsiderueshëm, megjithëse “Dhelprat” e Brendan Rodgersit ia dolën për të shënuar emrin për herë të parë në historinë 140-vjeçare të kompeticionit më të vjetër në rruzull në rang klubesh, FA Cup, teksa mundën në Wembley në finalen e madhe përpara 20.000 spektatorëve “blutë” e Chelsea-t, falë një goli të realizuar nga Youri Tielemans. Për shkak të frikës së përhapjesë së pandemisë së Koronavirusit kjo sfidë përfaqëson edhe një ndër ndeshjet me më shumë spektatorë të sezonit të kaluar, sidoqoftë gjërat pritet të ndryshojnë ndjeshëm në këtë aspekt, duke pasur parasysh përqindjen e lartë të vaksinimit në Mbretërinë e Bashkuar.
Sezonin e kaluar u rrëzuan pas vetëm një vit qëndrimi Fulham dhe West Bromëich Albion, të cilëve iu bashkua edhe ekipi i Sheffield United. Klube që do të zëvendësohen nga dyshja Norwich City – Watford që ia dolën për t’iu bashkuar grupit të privilegjuar të Premier League-s pas thjesht një edicioni në Championship, si dhe skuadra londineze e Brentfordit, që do të rikthehet në kategorinë elitare të futbollit anglez pas plot 74 vjetësh.
Sezonin e kaluar u shkarkuan vetëm katër trajnerë gjithsej: Slaven Bilic, Frank Lampard, Chris Wilder dhe Jose Mourinho. Edicioni i ri i Premiershipit Anglez do të jetë i treti që monitorohet nga Sistemi VAR dhe sezoni 2021-2022 do të rezervojë për lojtarët për të dytin vit rresht në muajin shkurt pushimet e dimrit. Këtë vit do të ketë ndryshime të mëdha në interpretimin e situatave të dyshimta të lojës dhe Mike Riley ka premtuar me humor se nuk do të influencojë më as hunda dhe as thonjtë. Me interepretimet e reja, përsa i përket pozicionit jashtë loje, do të favorizohet sulmi dhe jo reparti i mbrojtjes. 21 gola të anuluar nga sezoni i kaluar do të konsideroheshin të rregullt në edicionin e ri, ndërkaq nuk do të ketë më 11-metërsha zemërgjerë, sidomos në rastet e prekjeve të topit me dorë, por do të vlerësohet mbi të gjitha dinamika e aksionit, pozicioni dhe synimi i futbollistit që ka sferën në zotërim.
Kryeqyteti do të përfaqësohet sërish me 6 klube, gjithsesi fati i skuadrave londineze ishte vërtet shumë i ndryshëm përgjatë sezonit të shkuar. Chelsea mundi për vetëm 2 pikë më shumë “çekanët” e David Moyesit, që falë vendit të gjashtë do të përfaqësohet në Europa League, ndërsa ekipi i Tottenham Hotspur, që u pozicionua i shtati, është i shtrënguar për të luajtur në UEFA Conference League, ndërkohë “Topcinjtë” e Arsenalit mbetën fare jashtë Kupave të Evropës, për herë të parë pas ekzaktësisht çerek shekulli.
Nga 20 skuadrat e këtij sezoni 13 klube janë kurorëzuar në kampionatin elitar të këtij vendi, ndërsa dy ekipe si Watford dhe Southampton janë shpallur nënkampionë, ndërkaq në dy vendet e para nuk janë pozicionuar kurrë pra klube si West Ham, Crystal Palace, Norwich, Brighton dhe Brentford. Sa i përket ndryshimeve në stol ish-kapiteni i famshëm i Arsenalit Patrick Vieira ka zëvendësuar veteranin Roy Hodgson te “shqiponjat” e Crystal Palace-t dhe Rafael Benitez është ulur në vendin e Carlo Ancelottit tek Evertoni. Bruno Lage zuri vendin e Nunos tek Wolverhamptoni dhe po ish-portieri i famshëm i Jose Mourinho-s te Porto preferoi të merrte timonin e lënë bosh te Tottenhami, pas shkarkimit të mësuesit të tij te “dragonjtë”, për zëvendësimin e të cilit Presidenti Daniel Levy theu rekordin e Premier League-s, duke i lënë “gjelat” pa një trajner të mirëfilltë për afërsisht dy muaj e gjysmë.
Pavarësisht largimit të golashënuesit më të mirë në historinë e klubit, argjentinasit Sergio Aguero, Manchester City konsiderohet si tepër favorit për të triumfuar përsëri dhe “Sky Blues” kutohen me koeficientë modestë që luhaten nga 1,62 deri në 1,8 për të mbrojtur me sukses titullin, sidoqoftë Chelsea pritet të rivalizojë, duke pasur parasysh tri humbjet radhazi që pësoi Guardiola nga Tuchel, në FA Cup, Kampionat dhe Champions, në harkun e vetëm 6 javëve bashkë me Liverpoolin e gjermanit Jurgen Klopp, që sezonin e kaluar, sic dihet, humbi një e nga një gjithë qendërmbrojtësit.
Fituesi i “Këpucës së Artë”, sa i përket edicionit të fundit, Harry Kane, dhe egjiptiani Mohamed Salah pritet të rivalizojnë sërish për çmimin e golashënuesit më të mirë.
Ekipe si Norwich, Watford dhe Brentford rrezikojnë të rikthehen andej nga erdhën, megjithëse shumë këtë herë rrezikojnë edhe klube si Crystal Palace dhe Burnley, ndërkaq trajnerët e parë që rrezikojnë të shkarkohen në bazë të kuotave janë: spanjolli Xisco Munoz i Watfordit, Patrick Vieira i Crystal Palace-t dhe Steve Bruce i Newcastle-t, megjithëse për hir të së vërtetës pavarësisht rinovimit të kontratës për edhe tri sezone të tjera tani në fije të perit pritet të jetë edhe Ole Gunnar Solskjaer, duke marrë në konsideratë paratë e investuara nga familja Glazer. Në fakt, ndonëse trajneri norvegjez nuk ka fituar asgjë në pothuajse tre vjet, United është fuqizuar me dy lojtarë si Jadon Sancho dhe Raphael Varane, ndërsa Chelsea në krahun tjetër ka arritur marrëveshjen për të rikthyer në Londër ish-sulmuesin Romelu Lukaku.
Ndërkohë, sikur të mos mjaftonin mesfushorët pa fund që ka në dispozicion, Pep Guardiola mori gjithashtu për 100 milionë stërlina edhe kapitenin e Aston Vilës, Jack Grealish, duke e shndërruar 25-vjeçarin nga Birminghami në futbollistin anglez më të shtrenjtë në histori, rekord të cilin gjithsesi 50-vjeçari katalanas mund ta thyejë përsëri, nëse miqtë e tij Ferran Soriano dhe Txiki Begiristain ia dalin për të bindur presidentin më të pasur në glob, Khaldoon Al Mubarak, për t’i rrëmbyer Tottenhamit sulmuesin Harry Kane.
Java 1
E premte
Brentford – Arsenal (21:00)
E shtunë
Manchester – Leeds(13:30)
Burnley – Brighton (16:00)
Chelsea – Crystal Palace (16:00)
Everton – Southampton (16:00)
Leicester – Wolves (16:00)
Watford – Aston Villa (16:00)
Norwich – Liverpool (18:30)
E diel
Newcastle – West Ham (15:00)
Tottenham – Manchester City (17:30)
20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, fa...
“Mos gënje”, “mashtruese”, plas debati mes Xhenetës dhe Sarë...
Guardiola tregon se ku dështoi City ndaj Evertonit
Çmimet 2 herë më shtrenjtë se në 2013, Berisha: Shqipëria e ...
Kurti mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga...
Juventus po planifikon ta transferojë yllin e Dortmundit