Kjo pritet të jetë lista e lojtarëve të Kosovës për ndeshjet kundër Çekisë dhe Anglisë

09:28 | 8 Nëntor 2019
A. B.

Sot pritet të publikohet lista zyrtare e lojtarëve të përzgjedhur nga Kombëtarja e Kosovës për dy ndeshjet e nëntorit – kundër Çekisë dhe kundër Anglisë – në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020. Më poshtë mund ta gjeni listën e lojtarëve që pritet të publikohet sot.

Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshje vendimtare për fatin e saj në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020 gjatë dy javëve të ardhshme – kur më 14 nëntor do ta vizitojë Çekinë e tre ditë më vonë do ta presë Anglinë në “Fadil Vokrri”, shkruan Gazeta Express.

Për momentin, Kosova radhitet në pozitën e tretë në Grupin A me 11 pikë të fituara nga gjashtë ndeshjet e para – një më pak sesa Çekia dhe katër më pak sesa Anglia.

Për këto dy ndeshje vendimtare, sot trajneri Bernard Challandes pritet ta publikojë sot, mirëpo Gazeta Express ka mësuar se këta do të jenë lojtarët e ftuar:

Portierë: Samir Ujkani – Torino, Arijanet Muric –Nottingham Forest, Visar Bekaj – FC Prishtina

Mbrojtës: Amir Rrahmani – Hellas Verona, Fidan Aliti – Kalmar, Mërgim Vojvoda – Standard Liege, Leart Paqarada – SV Sandhausen, Benjamin Kololli – FC Zurich, Arbenit Xhemajli – Neuchâtel Xamax, Ibrahim Dresevic – Heerenveen, Florent Hadërgjonaj – Huddersfield

Mesfushorë: Herolind Shala – Valerenga, Florent Hasani – Diosgyor, Bersant Celina – Swansea, Valon Berisha – SS Lazio, Idriz Voca – FC Luzern, Besar Halimi – SV Sandhausen, Milot Rashica – SV Werder Bremen, Edon Zhegrova – Basel, Anel Rashkaj – AFC Eskilstuna, Florent Muslija – Hannover 96.

Sulmues: Vedat Muriqi – Fenerbahce, Atdhe Nuhiu – FC Sheffield Wednesday, Elbasan Rashani – Odd

Kosova duhet të ngrihet të paktën në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A për ta arritur kualifikimin në Kampionatin Evropian përmes fazës së grupeve. Më poshtë mund t’i lexoni rezultatet që i duhen Kosovës në dy ndeshjet e nëntorit – kundër Çekisë dhe Anglisë, për ta siguruar kualifikimin.

– Kosova eliminohet nëse humb kundër Republikës Çeke.

– Nëse Kosova e mposht Çekinë, atëherë mund t’i duhet barazimi kundër Anglisë varësisht nga rezultati i ndeshjes Bullgari – Çeki (nëse Çekia fiton kundër Bullgarisë, Kosovës do t’i duhej të paktën barazim kundër Anglisë; çfarëdo barazimi apo humbje e Çekisë kundër Bullgarisë do ta dërgonte Kosovën automatikisht në Evropian, pavarësisht rezultatit kundër Anglisë).

– Nëse Kosova barazon kundër Çekisë, atëherë Kosovës i duhet të paktën barazim kundër Anglisë dhe Çekia duhet të humbë kundër Bullgarisë.

– Nëse Kosova s’e arrin kualifikimin në këtë mënyrë, e ka të siguruar një vend në play-offs, si fitues i Grupit D3 të Ligës së Kombeve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme