Google ADS

KB Peja reagon ndaj vendimit të FBK-së dhe kërkon rishqyrtimin e vendimit

19:47 | 17 Gusht 2018
Arbresh.info

Klubi basketbollistik, Peja, ka reaguar ndaj vendimit për përjashtimin nga garat e Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Përmes një komunikate për media, ky klub e ka quajtur skandaloz vendimin e FBK-së duke e akuzuar se nuk ka dhënë ndihmë për kalimin e situatës. KB Peja ka kërkuar nga FBK të rishqyrtojë vendimin.

Më poshtë është reagimi i plotë i KB Peja

Klubi i Basketbollit Peja reagon ndaj vendimit për përjashtimin nga garat e FBK-së ku ishte një vendim skandaloz. Misioni i federatave është masovizimi i sportit, kurse i FBK-së është shkatërrimi i sportit duke shuar klube për interesa personale dhe duke mos jap asnjë ndihme në kalimin e situatës në të cilën gjendet klubet jo vetëm KB PEJA por edhe shumë klube tjera në Kosovë.

KB Peja është njëra ndër klubet më të suksesshme sportive në vend. Si shumë Klube tjera, edhe më të mëdha se ne, kemi kaluar nëpër krizë financiare e cila s’ka qenë e lehtë fare dhe vazhdon të jetë edhe sot.

Por përkundër vështirësive, kemi gjete prapë forcën që të vazhdojmë përpara. Klubi ka qenë i dënuar padrejtësisht me disa vendime, që pa pasur mundësi financiare dhe eksperiencë për çështje të tilla juridike i kemi humbur rastet në gjykatën e arbitrazhit të basketbollit BAT.

Për shkak të pamundësisë për të paguar borxhin, Klubi është dënuar me 5,000CHF dënim nga FIBA. Pas kësaj, na është caktuar afat deri me 15 Shtator për të lëvizur me rastet sepse në të kundërtën, dënimin tjetër do të paguhej nga FBK. Me këtë rast, FIBA ka kërkuar nga Federata të ndërmerren masat dhe Klubi ose të shuhet ose të lëviz në aspektin e mbylljes së obligimeve.

Klubi mblodhi forcat që të punoj në këtë drejtim dhe deri sot nga 3 rastet, 1 e kemi mbyllur me marrëveshje dhe dy të tjera kemi rënë në pajtim në parim dhe presim shumë shpejt finalizimin e tyre. Për dënimin prej 5,000CHF Klubi ka kërkuar nga FIBA që të mundësohet të paguhet me këste. FIBA përmes e-mail ka konfirmuar që Klubi ka lëvizur për rregullimin e borxheve dhe që dënimi prej 5,000CHF mos të jetë prioritet por të jenë tre rastet e arbitrazhit dhe se dënimi mund të priste deri në një afat tjetër, i cili do caktohej më vonë.

FBK nuk e regjistroi Klubin pa ndonjë arsye të fuqishme, ata ishin të pakënaqur me punën e bërë, gjë e cila nuk ishte e vërtete sepse KB Peja ka njoftuar zyrtarisht e jo zyrtarisht gjatë gjithë kohës FBK-në me lëvizjet. Agjentët, lojtarët dhe FIBA janë shprehur mirënjohës ndaj procesit dhe kanë kërkuar që Klubi të vazhdoj në këtë mënyrë që me datë 15 Shtator të mund të hiqte ndalesën dhe të mund të regjistronte lojtarët në mënyrë të rregullt.
Ne nuk kemi asnjë njoftim zyrtar nga FBK në lidhje me vendimin që e ka marr FBK, ne jemi njoftuar nga mediat për vendimin e FBK ku edhe shihet se sa jo serioze tregohet FBK dhe mundohet në mënyrë arbitrare të na largoj nga garat duke na pamundsuar edhe të drejtën që e kemi me kundërshtu vendimin e FBK.

Klubi këtë sezon, duke shfrytëzuar edhe ligjin per sponzorizime, i cili përkundër që është ende i mangët dhe gjen zbatim fare pak, kemi planifikuar një buxhet që garanton pagesën e obligimeve si dhe mbajtjen e një ekipe stabile shumë mirë të organizuar. Madje, Klubi arriti që të rezervonte një vend edhe në Ligen Ballkanike pas zgjidhjes së situatës me FIBA.

Federata në mënyrë arbitrare ka vendosur që ta largoj Pejën nga garat. Federata në mënyrë arbitrare dhe tërësisht të parregullt dëshiron të ju jep mundësinë klubeve sekondare, klubeve të inatit të cilët nuk kanë as histori e as buxhet e financa, që përmes Ëild Card-es te rikthehen në Superlige. E kanë obligimin, sepse kanë jap premtim gjatë fushatës për të parin e Federatës. E kuptojmë z. Fetahu i cili ishte nevrikosur shumë atëherë kur u munduan në të gjitha mënyrat për të na larguar nga liga. Megjithatë nuk ja dolën, djemtë e rinj dhe ata që e duan Pejën, me rezultate në parket (që e kontestuan aq shumë sepse urrejtja i kishte verbëruar dhe e kishin të pamundur të pajtohen me faktin) arritëm të qëndrojmë në Superlige.

Në ditët në vazhdim, Klubi do të kërkoj drejtësi në të gjitha organet, por në të njëjtën kohë do të tregoj se sa është Federata dhe njerëzit që mbajnë pozicione respektues të ligjeve. Do shikojmë se si skuadrat tjera iu lejohet pjesëmarrja edhe pse ka vite që kanë humbur procese gjyqësore në Kosovë, dhe bile edhe ju është përmbaruar konto, e ata përsëri vazhdojnë aktivitetin në mënyrën me klandestine.

Sot ne jemi viktimë e një hakmarrje të ulët, për mos përkrahjen e kësaj klike të interesave të ngushta (Për arsye konfidencialiteti ne nuk kemi publikuar marrëveshjet dhe dokumentet tjera, por të njëjtat janë në Federatë. Në një kohe të afërt do i publikojmë por pas afateve të caktuara nga palët).

Ne kërkojmë nga FBK të rishqyrtoj vendimin e saj dhe të vendos drejt e jo për interesa personale ta shuaj klubin më të madh Shqiptar.

Dokumentin që po ju bashkangjesim është dëshmia ku tregon se ne jemi duke i përfunduar marrëveshjet me FIBA por FBK po na bllokon dhe kërkon të na shuaj si Klub me çdo kusht.

KB PEJA nuk shuhet KB PEJA është klub i gjithë qytetit i gjithë Kosovës nuk mund te luajnë disa persona me fatin e KB PEJES.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme