Kartona të verdhë të lehtë e ndeshje të trukuara: Shfaqet hija e mashtrimit sportiv në Itali

17:37 | 17 Tetor 2023
KRG

Ndeshje të trukuara dhe kartona të verdhë të dyshimtë. Edhe mbi këtë pistë po punon prokuroria e Torinos, e cila prej muajsh po zbardh botën e madhe të basteve të paligjshme me protagonistë disa futbollistë të Serisë A.

Për momentin të dyshuar janë Fagioli, Tonali dhe Zaniolo, por befasitë nuk mund të përjashtohen. Edhe në frontin e mashtrimit sportiv.

Frika është se pas maxi-basteve ka ndeshje të ‘rregulluara’ për të vazhduar me fitime ose mbuluar humbjet nga bastet e mëparshme.

Hetuesit po kryqëzojnë rezultatet e ndeshjeve nën vëzhgim me të dhënat e marra tashmë dhe ato që do të dalin nga pajisjet elektronike të sekuestruara.

Për momentin, shkruan Corriere della Sera, nuk ka elementë që mund të çojnë në trukim ndeshjesh.

Është e rëndësishme të theksohet se për momentin mashtrimi sportiv nuk është një hipotezë krimi e pranishme në dosje.

Vetëm se Prokuroria po mendon në një gamë të gjerë mënyrash, duke vlerësuar disa pista. Ajo që lidhet me trukimet e mundshme të ndeshjeve po shqyrtohet ashtu si të tjerat.

Qëllimi është të shkohet në thellësi për të mos humbur asnjë aspekt të historisë së ndërlikuar.

Aktualisht po kryhen analiza për celularët dhe tabletët e sekuestruar të enjten nga Zaniolo dhe Tonali në Coverciano, në grumbullimin e Italisë.

Të gjitha bisedat do të lexohen si dhe do të analizohen materialet e pranishme. E njëjta gjë ka ndodhur edhe për juventinin Fagioli.

E pikërisht nga aparatura e lojtarit bardhezi kanë dalë edhe emrat e lojtarëve të tjerë të Serie A.

Të ngjashme