Google ADS

Kane kërkon largimin, në garë futet edhe PSG

16:37 | 13 Prill 2021
Arditë Shkodra

Jo vetëm Erling Haaland e Kylian Mbappe mund të ndërrojnë skuadër këtë verë pasi një tjetër emër i madh i sulmit po përgatitet t’i japë lamtumirën skuadrës ku është rritur dhe është bërë i famshëm si futbollist, bëhet fjalë për Harry Kane.

Gjigandi i kombëtares angleze nuk ndihet më i motivuar për të vazhduar aventurën me Spurs pasi dëshira e tij është të fitojë trofe dhe vera e vitit 2021 është momenti i duhur për t’u larguar sepse pas Europianit Kane do të ketë mbushur 28-vjeç.

Për momentin dy klubet më të interesuara për Harry Kane janë Manchester City dhe Manchester United, por të dyja klubet e Manchesterit duhet t’i bëjnë mirë llogaritë me presidentin e Tottenham, Daniel Levy i cili mund të heqë dorë nga sulmuesi anglez për një shifër jo më të vogël 150 milionë sterlina.

Sipas asaj që raporton gazeta angleze The Independent, së fundmi në skenë për të marrë shërbimet e Kane ka dalë edhe Paris Saint Germain. Francezët mund të humbasin shërbimet e Mbappe këtë verë i cili mund të transferohet te Reali i Madridit dhe nëse kjo ndodh atëherë me kërkesë edhe të trajnerit Pochettino i cili ka punuar për 5 vite me Kane dhe e njeh shumë mirë, klubi parizien do të nisë ofensivën për bomberin anglez.
Dëshira e parë e Kane është të qëndrojë në Angli, por nëse vjen oferta e duhur nga Paris Saint Germain mundësitë që transferohet në Francë janë të mëdha.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme