Kampionia vazhdon me fitore

19:48 | 1 Tetor 2023
E.G

Kampionia e Kosovës, Peja shënoi fitoren e dytë në Prince Caffe Superligë, ku mundi Proton Cable Prizrenin me shifrat 85:115 (18:25, 25:30, 23:27, 19:33).

Pejanët e nisën më mirë ndeshjen dhe qysh në çerekun e parë tri herë kishin epërsi deri në shtatë pikë, aq sa e fituan edhe këtë pjesë 18:25, shkruan FBK, përcjell Arbresh.info.

Mysafirët vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, për të ngritur epërsinë në 12 pikë, 35:47, ndërsa shkuan në pushim me shifrat 43:55.

Në periudhën e tretë, prizrenasit afruan epërsinë në 51:57, por kampionët e Kosovës sërish u shkëputën, deri në 16 pikë epërsi, ku shifrat pas 30 minutash ishin 66:82. Në dhjetë minutat e fundit mysafirët vetëm sa e shtuan epërsinë dhe triumfuan 85:115.

Te vendasit u dalluan Urim Zenelaj me 14 pikë, katër kërcime e pesë asistime dhe Isaiah Kelly me 23 pikë, gjashtë kërcime e tri asistime, ndërsa te mysafirët më të mirët ishin John Chandler me 27 pikë, katër kërcime e katër asistime, Lis Shoshi me 21 pikë e 12 kërcime dhe Beck Terwell me 24 pikë e gjashtë kërcime.

Proton Cable Prizreni ka dy humbje, kurse Peja ka dy fitore./Arbresh.info.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme