“Kam bërë tetë transfuzion gjaku dhe kam humbur 11 kg” – Tyson zbuloi gjendjen e rëndë para meçit

21:37 | 17 Nëntor 2024
E.G

Mike Tyson nuk e kurorëzoi me fitore rikthimin e tij të shumëpritur në ring këtë fundjavë, por në anën tjetër fitoi një shumë të majme parash.

Kjo pasi ikona 58-vjeçare e boksit u mposht nga Jake Paul (27), ndërsa zbuloi në rrjetet sociale se kishte qenë i sëmurë rëndë muajt e kaluar.

Lufta me Paul ishte planifikuar fillimisht për 20 korrik, por u shty pasi Tyson luftoi me probleme shëndetësore.

Sipas versionit zyrtar, ai vuante nga ulçera në stomak. Por situata ishte shumë më serioze nga sa supozohej të ishte, dhe këtë e ka treguar Tyson një ditë pas meçit.

“Për pak sa nuk vdiqa në qershor. Kam bërë tetë transfuzione gjaku. Kam humbur gjysmën e gjakut dhe 11 kilogramë në spital dhe duhet të luftoj për t’u shëruar dhe për të luftuar përsëri”, ka shkruar Tyson në Twitter, duke zbuluar se kjo e bëri të ndihej si fitues.

Ndonëse në ring nuk pati një spektakël të vërtetë, lufta u shikua shumë.

Të paktën 60 milionë njerëz e ndoqën luftën, njoftoi Netflix, dhe mbetet për t’u parë nëse kjo ishte vërtet hera e fundit që Tyson hyri në ring.

Meqë ra fjala, Mike fitoi 20 milionë dollarë për luftën kundër Jake Paul, ndërsa rivali i tij mori 40 milionë dollarë. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme