Kabashi: Ata që e duan rikthimin e Munishit, le ta ftojnë për kafe

15:27 | 2 Mars 2021
A. B.

Bledi Shkëmbi nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën si trajner i Ballkanit. Në katër ndeshjet e stinorit pranveror, ai ka regjistruar dy fitore, një barazim dhe një humbje, duke ngecur aktualisht dy pikë prapa Dritës. Ballkani gjithashtu u eliminua nga Llapi në kuadër të Kupës së Kosovës.

Kjo nuk ka mbetur pa u komentuar edhe nga tifozët e Ballkanit, “Xhebrailat”. Kryetari i tifo grupit nga Suhareka, Korab Elshani postoi një fotografi së bashku me tifozin legjendar, Kobën.

Elshani tha se së bashku me Kobën u pajtuan që trajnerët duhet të shkojnë në shtëpi sepse Suhareka jeton për sport. Ai gjithashtu shkroi se si tifogrup nuk kanë kohë me humb duke pritur eksperimente. Madje, në fund shkroi: “MunishiBack”, duke lënë të nënkuptohet se e dëshirojnë rikthimin e Munishit.

Por, presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi tha se është i kënaqur me rezultatet e arritur deri tash.

“Jemi shumë të kënaqur. Eliminimi nga Kupa nuk është aspak i mirë, por nuk kemi se çfarë të bëjmë”, ka thënë Arsim Kabashi për Zërin.

I pyetur për punën e Bledi Shkëmbit dhe kërkesën e disa tifozëve për largimin e tij, “Cima” deklaroi: “Tifozët e kanë të drejtën e tyre. Shkëmbi është trajner i Ballkanit deri në fund të edicionit dhe të gjithë në klub e kanë të qartë një gjë të tillë”.

Kabashi tha se tifozët mund ta ftojnë Munishin për kafe.

“Ismet Munishin pasi po e kërkojnë tifozët, le ta ftojnë për kafe, le të vijë në ndeshjen e radhës me Drenicën. Ne e kemi mik Ismetin”, përfundoi Arsim Kabashi.

Ballkani pas xhiros së 22-të në Superligën e Kosovës në futboll ndodhet në pozitën e dytë, me 45 pikë të tubuara, dy më pak se lideri Drita dhe një më shumë se Prishtina, që ndodhet e treta.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme