Pasi kishte shkuar për herë të parë në karrierë në boks profesionist te pikët e jurisë një meç më herët, Joshuas të shtunën mbrëma nuk iu desh vlerësimi i jurisë. Ai rrëzoi Povetkinin me një të djathtë të fuqishme.
Povetkin u ngrit në këmbë, por në parim ishte i dorëzuar dhe Joshua ia dha edhe disa grushte para se referi të ndërhynte. Meçi u zhvillua në stadiumin e futbollit Wembley në prani të afro 80 mijë shikuesve.
Ishte një përfundim i kënaqshëm i mbrojtjes së titujve WBA, IBF, WBO dhe IBO për Joshuan, mirëpo britaniku pati momente të dobëta në fillim të meçit, shkruan ESPN, transmeton “Koha Ditore”. Për Joshuan është fitorja e 22-të në karrierë nga po aq meçe, e 21-a me ndërprerje.
“U jam kthyer nokauteve dhe e kam gjetur sërish të djathtën time”, ka thënë Joshua. “Alexander Povetkin ishte sfidë shumë e vështirë. Ai ka qenë shumë i vështirë me të majtën e tij. Unë e kuptova se ai është i fortë në kokë, por i dobët në trup, kështu që po e godisja në trup dhe çdo goditje në trup e ngadalësonte nga pak”, ka shtuar 28-vjeçari.
Për Joshuan ishte mbrojtja e gjashtë e titullit IBF, e treta e titullit WBA dhe e para e titullit WBO. Povetkin 39-vjeçar ka pësuar humbjen e dytë në karrierën profesioniste, karshi 34 fitoreve (24 KO). Ishte humbja e parë me ndërprerje për Povetkinin. Fitorja me ndërprerje ishte ajo që iu desh Joshuas, pasi dy rivalët e tij më të mëdhenj, kampioni i versionit WBC, Deontay Wilder dhe britaniku Tyson Fury kanë nënshkruar kontratat për t’u përballur më 1 dhjetor.
Përballja e Wilderit me Furyn është vlerësuar si meç më i madh dhe me peshë më të madhe sesa përballja që Joshua e pati të shtunën.
Joshua insiston se dëshiron të përballet me fituesin e duelit.
“Unë nuk jam shumë i shqetësuar me atë se kush fiton duelin mes tyre, u uroj fat të dyve. Fituesi duhet të vijë këtu në Britani dhe të kemi një përballje të madhe. Preferencë e imja do të ishte Wilderi”, ka deklaruar Joshua.
Arena dhe data për meçin e ardhshëm të Joshuas janë caktuar shumë kohë më parë. Ai do të përballet në Wembley sërish më 13 prill të vitit të ardhshëm. Mirëpo kundërshtari ende nuk është i qartë. Do të jetë fituesi i përballjes britanike mes Dillian Whytet e Dereck Chisoras apo fituesi i duelit mes amerikanit Wilder dhe britanikut Fury…
Marotta: Jemi skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë
Vullneti: Xheneta rrezikon të eliminohet këtë javë
Shpërthim në Prishtinë, lëndohen dy persona
Federata e Bodybuildingut zgjedhë më të mirët e vitit 2024
“Je xheloz ti?”, Sara dhe Driloni ngacmojnë njëri-tjetrin
Netanyahu në gjykatë për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsi...