Jim Ratcliffe planifikon rrënimin e “Old Trafford” pas blerjes së 25 për qind të aksioneve të klubit

18:22 | 26 Dhjetor 2023
D.H

Jim Ratcliffe ka ardhur me një mision të qartë tek Manchester United. Personat përgjegjës për rinovimin e stadiumit, i kanë sugjeruar pronarit të ri që ose ta prishë stadiumin ose ta rindërtojë atë.

Ratcliffe tashmë zotëron 25 për qind të aksioneve të Manchester United dhe pasi u konfirmua edhe zyrarisht kjo gjë, ai ka disa detyra për të bërë, me theks të veçantë tek stadium.

The Telegraph ka raportuar se ata që janë përgjegjës për projektin e rizhvillimit të stadiumit i kanë kërkuar Ratcliffe dhe Glazers që ta prishin atë dhe të ndërtojnë një stadium të ri.

“Ne kemi bërë punën dhe kemi ndërmarrë të gjitha hapat për të parë opsionet e fizibilitetit, versionet e shumta të rinovimit të mundshëm të Old Trafford dhe gjithashtu se si mund të duket një ndërtim i ri , të gjitha të fokusuara në mënyrën se si mund të krijojmë një përvojë fantastike për tifozët”, ka thënë Chris Lee, shefi ekzekutiv i Populus.

Ratcliffe kishte premtuar më parë se do të investojë plotë 273 milionë euro për të modernizuar infrastrukturën e klubit, duke përfshirë këtu edhe “Old Trafford”.

“Ndërtesa po i afrohet fundit të saj. Kabllot, furnizimi me energji elektrike, gjithçka është vjetërsuar. Ambientet e brendshme janë shumë të ngushta. Do të thoja se rinovimi nuk do të bëhej jo vetëm për të ruajtur pozicionin e klubit, por thjesht për ta bërë atë më funksional për tifozët”, shtoi Lee.

Raporti thotë tutje që burimet pranë Ratcliffe kanë bërë të ditur që duhet një analizë shumë e detajuar për të parë se çfarë me të vërtetë duhet të ndryshohet në “Old Trafford” dhe mbi këtë buxheti mund të shënojë rritje në të ardhmen./telegrafi

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme