Japonia planifikon të thjeshtëzojë formatin e Lojërave Olimpike

15:47 | 4 Qershor 2020
Arbresh Info

Guvernatorja e Tokios, Yuriko Koike tha se do të mbahen diskutime për të konstatuar ndryshime të mundshme

Japonia mund të thjeshtëzojë formatin e Lojërave Olimpike të vitit të ardhshëm për të zvogëluar rrezikun e një shpërthimi të koronavirusit (COVID-19).

Guvernatorja e kryeqytetit dhe qytet pritës Tokio, Yuriko Koike tha se do të mbahen diskutime për të konstatuar ndryshime të mundshme, raportoi Kyodo News.

“Shpresojmë që të punojmë së bashku me qeverinë dhe komitetin organizativ të Tokios për të parë se çfarë mund të racionalizohet dhe thjeshtëzohet. Do të jetë e nevojshme për të fituar ndjeshmërinë dhe mirëkuptimin e publikut”, tha ajo.

Kyodo News citoi burime duke thënë se ndryshimet mund të përfshijnë zvogëlimin e numrit të spektatorëve dhe zvogëlimin e ceremonive të hapjes dhe mbylljes së Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike.

Masat tjera mund të përfshijnë shërbime të veçanta mjekësore siç janë testet e reaksionit të zinxhirit polimeraz për atletët, stafin dhe spektatorët, së bashku me kufizimet në lëvizjet e atletëve, thuhet në raport.

Në mars, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe qeveria japoneze morën vendimin e paprecedent për të shtyrë Lojërat Olimpike të këtij viti, të cilat duhej të fillonin në korrik.

Lojërat Olimpike do të zhvillohen mes 23 korrikut dhe 8 gushtit të vitit 2021 ndërsa Lojërat Paraolimpike do të zhvillohen nga 24 gusht deri më 5 shtator./AA/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme