Ja çka ndodhi me biletat e ndeshjes Trepça ’89 – Vikingur

19:55 | 2 Korrik 2017
Arbresh.info

Të gjata kanë qenë radhët në pikat e ngritura në sheshin e qytetit në Mitrovicë, për sigurimin e një bilete për ndeshjen kthyese të rrethit të parë kualifikues të Ligës së kampionëve ndërmjet skuadrës tonë kampione Trepça ’89 dhe skuadrës Vikingur të Ishujve Faroe që zhvillohet të martën në “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Sipas drejtorit sportiv të KF Trepça ’89 , Arsim Islami që është njëri ndër përgjegjësit e shitjes së biletave për ndeshjen e së martës:

“Ecuria e shitjes së biletave për ndeshjen kthyese ndërmjet Trepçës ’89 dhe Vikingurit po shkon sipas parashikimeve tona, ne kemi ngritur pika të mjaftueshme në qytet dhe ndonëse e diel jemi shumë të kënaqur me këtë proces. Mund të konfirmoj se deri më tani janë shitur mbi 50 për qind e biletave të ofruara në shitje”.

Qytetarët po shprehin interesim më të madh për biletat në përgjithësi, ndërkohë që si më të shiturat deri më tani janë biletat e tribunës, në katin e parë dhe katin e dytë të stadiumit olimpik “Adem Jashari” që kanë çmimin prej 7 euro, ndërsa më pas radhiten biletat e pjesës lindore të stadiumit që kanë çmim prej 4 euro, ndërsa shitja e biletave prapa portave është paksa më e ultë ndonëse pritet shitja e tyre deri në fund.

Islami ka theksuar se pikat e shitjes vazhdimisht janë të rrethuara me qytetarë qofshin mitrovicas apo edhe nga qytetet tjera, që sigurojnë biletat për ndeshjen kthyese, ku pritet lojë e fortë dhe realizim i synimit për përmbyllje të rezultatit dhe fitore që do mundësonte kualifikimin e skuadrës në rrethin e dytë që do ishte sukses për lakmi. Nëse vazhdon ky trend i shitjes, atëherë besojmë se nesër në këtë orë do të shiten të gjitha 16 mijë biletat e lëshuara në shitje për ndeshjen e së martës, kjo përbën përgjegjësi për Klubin e Futbollit Trepça ’89 dhe vetë futbollistët që duhet të dëshmojnë profesionalizëm dhe të realizojnë pritjet e sportdashësve mitrovicas edhe kosovar për rreshtim në rrethin e dytë të ndeshjeve kualifikuese të Ligës së Kampionëve.

Drejtuesit e skuadrës mitrovicase ftojnë të gjithë sportdashësit dhe adhuruesit e futbollit që sa më shpejtë të sigurojnë biletat për ndeshjen kthyese, përderisa ato janë në treg, gjë që do të evitonte  mundësinë e keqpërdorimeve eventuale apo edhe tregun e zi për bileta, pasi ka një interesim enorm për këtë ndeshje që ka shumë tipare historike, jo vetëm nisja e kësaj gare nga skuadra mitrovicase por edhe kalimi i rrethit të parë.

Fotografia e KF Trepça '89 FC

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme