Italia bën gati planin për testimin e imunitetit të lojtarëve

22:22 | 4 Prill 2020
A. B.

Kur lojtarët të kthehet në seancat stërvitore në Itali, ata do të testohen të gjithë dhe do të ndahen në tri grupe sipas rezultateve të testeve: pozitivë, imunë dhe joimunë ndaj virusit Covid-19.

Numri i rasteve të reja të infektuara me koronavirus, vdekjeve shkaku i virusit dhe i të pranuarve në repartin e kujdesit intensiv po bie në Itali, duke sugjeruar kështu që Italia po fillon të shërohet nga kjo pandemi, transmeton Gazeta Express.

Për këtë arsye, tashmë kanë filluar të planifikohen mënyrat më të mira se si duhet të sigurohet se të gjithë futbollistët, kur t’u kthehen aktiviteteve sportive, ta kenë të garantuar sigurinë dhe shëndetin.

Agjencia e lajmeve Ansa i publikoi së fundi rekomandimet e dhëna për Federatat e ndryshme sportive, të përgatitura nga Federata Italiane e Mjekëve Sportivë.

Lojtarët propozohen të testohen në mënyrë të rregullt dhe të mbahen në tri grupe të ndara. Njëri grup do të përbëhej nga lojtarët që kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus, në njërin grup ata që kanë fituar imunitet ndaj këtij virusi dhe në grupin e fundit lojtarët pa imunitet ndaj Covid-19.

Ende mbetet të shihet se sa zgjat imuniteti ndaj koronavirusit pasi të shërohet një person nga ky virus, mirëpo tashmë në Itali po testohen një trajtim duke u përdorur gjaku i pacientëve të cilët tashmë janë shëruar nga kjo sëmundje, pasi që në ato mostra të gjakut gjenden antitrupat për ta luftuar virusin.

Testimet do të bëhen rregullisht për ta marrë vesh sa më shpejt nëse statusi i një lojtari ndryshon, në mënyrë që ai të zhvendoset në grupin përkatës nëse ka nevojë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme