Google ADS

Ish trajneri i gjeneratës së artë të Prishtinës, Fuad Muzuroviq takohet me presidentin e FFK-së, Agim Ademin

18:04 | 23 Nëntor 2018
Arbresh.info

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, gjatë qëndrimit në Sarajevë, ka takuar edhe ish-trajnerin e mirënjohur boshnjak, Fuad Muzuroviq, i cili në periudhën 1983 deri 1986 ishte timonier i skuadrës së Prishtinës në elitën e futbollit të ish-Jugosllavisë.

Gjatë këtij takimi Muzuroviq e ngushëlloi presidentin Ademi për humbjen e legjendës, Fadil Vokrri, të cilin, ai, e vlerësoi si mik të ngushtë të tij dhe si lojtarin dhe njeriun më të mirë që e ka njohur.

Gjithashtu Muzuroviq e uroi presidentin Ademi për zgjedhjen e tij në krye të FFK-së dhe shprehet i lumtur që në krye të futbollit tonë është një njeri, i cili ka rrugëtuar për vite të tëra së bashku me ish-presidentin Vokrri.

Ai e përgëzoi kreun e FFK-së edhe për organizimin e shkëlqyeshëm dhe për idetë e tij që ka për të ardhmen e futbollit kosovar si dhe për fitoren e arritur kundër Azerbajxhanit dhe kualifikimin në “play-off” për Euro 2020 dhe ngritjen në Ligën C të Ligës së Kombeve.

Në anën tjetër, presidenti Ademi ka shprehur respekt të madh për trajnerin Muzuroviq dhe vlerësoi lartë kontributin e tij në futbollin e Kosovës në kohën kur e drejtoi gjeneratën e artë të Prishtinës, skuadër e cila atëbotë e përfaqësonte në mënyrën më të mirë të mundshme tërë popullin shqiptar në ish-Jugosllavi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme