Google ADS

Ish-kapiteni i Manchester Cityt mahnitet nga Broja

09:30 | 24 Janar 2022
Lorik Gerbeshi

Armando Broja vazhdon të jetë temë diskutimi në futbollin anglez dhe elozhet për sulmuesin shqiptar nuk kanë fund. Këtë herë, vlerësimet kanë ardhur nga një emër shumë i njohur i futbollit britanik e botëror, ish-mbrojtësi Micah Richards.

Ky i fundit, kapiteni më i ri në moshë në historinë e Manchester Cityt, pranoi se kishte mbetur i çuditur nga shpërthimi i Brojës dhe i mahnitur nga ajo që ky djalosh po shfaqte. Që para sfidës së Southampton ndaj Cityt, ai foli me elozhe në studion e “Sky Sports”.

“Ai ka cilësi. Kur e pashë për herë të parë, ai ishte në huazim nga Chelsea, por ka shënuar 5 gola deri tani. Nuk ka frikë, është i fortë, vrapon prapa shpinës së mbrojtësve, mund të mbajë topin dhe është vetëm në moshën 20 vjeçare. Më ka bërë shumë përshtypje, Shpesh, kur lojtarët e rinj shkojnë në huazim, sidomos në Premier Ligë, ata luajnë si zëvendësues dhe atij iu desh pak kohë. Por kur iu shfaq rasti, e mbërtheu atë me të dy duart. Më bën shumë përshtypje sa herë që e shoh atë duke luajtur”, tha Richards.

Pas sfidës, ish-mbrojtësi duartrokiti përsëri paraqitjen e sulmuesit shqiptar që krijoi vazhdimisht panik në prapavijën e kampionëve në fuqi.

“Ai është vetëm 20 vjeçar. Ai mban linjën i vetëm, ka lojën e kontrollit të topit, është një rrezik i vazhdueshëm duke vrapuar pas mbrojtësve, ka edhe aftësi në ajër gjithashtu. Ai po rritet edhe fizikisht. Po flasim për dy nga qendërmbrojtësit më të mirë në kampionat, Laporte dhe Dias dhe ai i bëri të vuajnë, ka prezencë”, theksoi ish-mbrojtësi anglez.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme