Pasi i bëri një apel sheikut Jassim Bin Hamad Al Thani, kur ky u tërhoq nga oferta për të marrë Manchester United, për t’u bashkuar me të për të blerë së bashku Interin, Thomas Zilliacus shpjegon në një intervistë projektin e tij për ta bërë klubin që të jetë vazhdimisht ndër më të mirët e botës, në stilin e Realit të Madridit. Nëse një ditë do të bëhej president, ëndrrat quhen Erling Haaland dhe Pedri.
“Është e vështirë të thuash vetëm një, ndaj do them dy emra. Në futboll duhet të fitosh ndeshjet dhe të shënosh gol. Për ta bërë ke nevojë për sulmues shumë të aftë. Për mua, dhe nuk e them vetëm sepse jam skandinav, Erling Haaland është një superyll absolut, do të më pëlqente ta shihja me fanellën e Inter. Që sulmuesit të shënojnë duhet të kesh edhe njerëzit në mesfushë që t’u kalojnë topin, dhe një lojtar që më pëlqen shumë dhe që edhe shënon është Pedri i Barcelonës.
Sigurisht, as Pedri dhe as Haaland nuk janë në shitje në këtë moment, por për çmimin e duhur gjithçka është në shitje, dhe ndaj duhet të sigurohemi që Interi të bëjë para, një mënyrë që klubi të mund të bëjë oferta për lojtarë të tillë”.
Por për të blerë Interin, duhet që edhe pronarët aktualë familja Zhang të jetë e gatshme për ta shitur dhe në këtë drejtim nuk ka pasur sinjale.
“Mendoj se gjithçka blihet me çmimin e duhur. Familja Zhang po bën një punë fantastike. Steven dhe familja e tij po mbështesin financiarisht Interin dhe e kanë kthyer në një nga skuadrat më të mira të Evropës. Meritojnë të vlerësohen, por ka edhe një aspekt tjetër që më vjen në mendje.
Sunning ka presidencën prej më shumë se 7 vjetësh, ndoshta tani duan të merren edhe me diçka tjetër. Nëse do të kishte një pistë të mirë, që dëshiron ta rrisë Interin, mendoj se familja Zhang mund ta shesë. Jam i bindur që Zhang e duan Interin dhe duan ta shohin të përmirësohet, ndaj mendoj se për ta është edhe një çështje parash por edhe për të gjetur njerëzit e duhur për ta shitur klubin”.
Gjithsesi tani për tani Al Thani ende nuk i është përgjigjur apelit të tij në rrjetet sociale.
“Jam i sigurt se nuk do të përgjigjet nëpërmjet Twitter por dihet unë jam skandinav dhe vij nga një kulturë e hapur komunikimi. Kur pashë lajmin që ishte tërhequr nga United thashë ok këtu do të komentoj. Në rrjetet sociale kur dikush më kërkon të shpreh këndvështrimin tim e bëj, por kur bëhet për tratativa biznesi ato nuk bëhen në publik, duhet të jenë private dhe në konfidencë. Kur të arrijnë rezultatet, vetëm atëherë mund të publikohen”.
Zilliacus ilustron edhe projektin e tij për ta bërë Interin klubin më të mirë të botës.
“Pikë së pari mendoj që për të udhëhequr një klub duhet të kuptosh futbollin, dhe unë kam qenë lojtar, trajner dhe pronar. Mendoj se e njoh mirë këtë sport. Interi ka një menaxhim të shkëlqyer, duke nisur nga Beppe Marotta e deri te gjithë skuadra janë shumë të aftë. Mendoj se një pronar duhet të mbështesë drejtuesit./ss
Dua Lipa fejohet me Callum Turner
Seuli: Ukraina ka zënë rob një ushtar verikorean
Ministri Peci sot mban konferencën përmbyllëse për media
Kurti dhe Vitia përurojnë sot renovimin e sporteleve në Klin...
Prokuroria Themelore në Prishtinë sot mban konferencën përmb...
Kurti e Vitia sot vënë gurthemelin e QKMF-së në Drenas