Ibrahimovic së shpejti udhëton për Milano

10:00 | 9 Maj 2020
A. B.

Zlatan Ibrahimovic është gati të rikthehet në Milano, pasi ka kaluar disa javë në Suedi, për shkak të ndërprerjes së kampionatit prej pandemisë Covid-19, ndërsa gjatë kësaj kohe është stërvitur me skuadrën nordike të Hammarbyt.

Gjiganti suedez ka folur me drejtuesit kuqezinj dhe ka marrë prej tyre sinjalin se kampionati italian mund të rifillojë së shpejti dhe se duhet t’u bashkohet për të rinisur stërvitjen, ndaj ka prenotuar një udhëtim drejt Milanos për ditën e hënë.

Lajmi është dhënë nga media pranë klubit kuqezi, që kanë raportuar se përveçse do të qëndrojë deri në mbyllje të ndeshjeve të këtij sezoni, Ibra është gati të firmosë edhe për një tjetër sezon me Milanin.

Kujtojmë që Suedia nuk ka aplikuar masa drastike për t’u përballur me koronavirusin dhe kjo e ka lejuar Zlatan Ibrahimovic që të stërvitet rregullisht në grup me skuadrën e Hammarbyt, ndaj në sprintin final pritet të jetë një nga lojtarët më në formë, pavarësisht 38 viteve mbi supe.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme