Ibra tregon detajin që shkatërroi marrëveshjen me Napoli

18:31 | 1 Dhjetor 2021
KRG

Në një intervistë të gjatë për Gazzeta Dello Sport, Zlatan Ibrahimovic ka folur rreth një prapaskene të veçantë në karrierën e tij.

Suedezi tregon se para se të rikthehej te Milan, ishte i joshur nga ideja për të luajtur me Napolin. E gjitha kjo kishte lindur si pasojë e dokumentarit mbi Maradonën, me sulmuesin që shprehet se do të kishte dashur që edhe ai ashtu si argjentinasi, të fitonte titullin me të kaltrit.

Por, kur gjithçka dukej e përfunduar, Zlatan tregon se klubi nga Jugu i Italisë shkarkoi trajnerin Carlo Ancelotti-n dhe kjo nuk i kishte lënë shije të mirë, shkruan ”SS”.

“I thashë Mino Raiolës se sapo të përfundoj aventurën me LA Galaxy, do ta mbyll me futbollin. Por, ai më stimuloi të vazhdoja dhe i thashë se vetëm adrenalina mund të më bënte të qëndroja ende aktiv. Një mbrëmje po shihja një dokumentar për Diego Armando Maradonën dhe San Paolo ishte i mrekullueshëm.

Tifozët ishin shumë të zjarrtë, telefonova menjëherë Raiolën dhe i thashë të fliste me drejtuesin e Napolit sepse do të shkoja atje. Raiola më pyeti nëse e kisha me gjithë mend, i thashë se isha i sigurtë për këtë. Ajo do të ishte adrenalina ime, të bëja që në stadium të kishte çdo javë 80.000 tifozë dhe t’i dhuroja titullin si Maradona. Do t’i bëja të çmendeshin.

Pse dështoi? Folëm me klubin dhe gjetëm dakordësinë. Ishte gjithçka e kryer, do të punoja me trajnerin Carlo Ancelotti që e njihja prej kohës te Parisi. Por, në 11 dhjetor të 2019-tës kur duhej të firmosja me Milan, De Laurentis shkarkon Ancelotti-n. Mora një ndjesi negative dhe kuptova se nuk mund t’i besoja këtij presidenti, nuk tregonte qëndrueshmëri. Unë nuk isha qëndërsulmuesi për Gatuzzon dhe kështu lindi ideja për t’u rikthyer te Milan. Unë kërkoja një sfidë dhe jo një kontratë”, u shpreh Ibra.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme