Historia e futbollit anglez zbret në “Old Trafford”

10:56 | 24 Shkurt 2019
Arbresh.info

Në Premier League gjithçka është gati për përballjen e 200 në histori ndërmjet dy klubeve më të lavdishme angleze, Manchester United dhe Liverpool.

Edhe këtë sezon, ashtu si edhe në vitet e fundit, “Derbi i Anglisë” luhet për krenari, por edhe për objektivat e të dy skuadrave, gjithsesi si zakonisht bëhet fjalë për një duel emocionues, që përball dy qytete në veriperëndim të vendit, që ndahen nga vetëm 56 kilometra.

Këtë duel tepër të ashpër e bën të veçantë vetë politika, muzika, futbolli, por mbi të gjitha kanali i Manchester-it, prej nga ku lindi një armiqësi historike që është ruajtur e gjallë pikërisht në sportin më të dashur në ishull. Në vendin ku u shpik futbolli, të dy klubet pretendojnë me forcë superioritetin e tyre, me United që kryeson 20-18 përsa i përket kampionateve, ndërsa Liverpuli në anën tjetër krenohet me lavdinë në kompeticionin më të rëndësishëm evropian, ku “të kuqtë” udhëheqin 5-3.

Pas një starti zhgënjyes të kampionatit, nën drejtimin e Jose Mourinhos, Manchester United shkarkoi portugezin dhe ia besoi pankinën norvegjezit Ole Gunnar Solskjaer, një zgjidhje që deri tani po tregon se ka qenë më se e goditur.

Nën drejtimin e norvegjezit, “djajtë e kuq” nuk njohin humbje në kampionat, ndërsa disfatën e parë e pësuan vetëm mesjavën e kaluar, përballë Paris Saint Germain në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve.

Megjithatë synimi i United është që t’ia dalë të renditen në katërshen e parë të tabelës, për të mundësuar pjesëmarrjen në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, ku beteja është shumë e fortë me skuadrat londineze të Arsenalit dhe Chelseat.

Nga ana tjetër, Liverpooli vjen në të tjera pozita këtë herë, pasi lufton për titullin kampion dhe prej javësh mban kreun e tabelës së renditjes, ndërsa aktualisht ka të njëjtën sasi pikësh me Manchester Cityn.

Skuadra e drejtuar nga Jurgen Klopp ka një ndeshje më tepër për të zhvilluar dhe është pikërisht sfida e “Old Trafford”, që nëse fitohet, do të shkëputë “The Reds” në krye të tabelës, me 3 pikë më shumë se ndjekësi më i afërt.

Liverpooli nuk fiton titullin prej 28 vitesh dhe ky vit shikohet si i duhuri për të rikthyer trofeun në “Anfield Road”, por të besuarit e Jurgen Klopp e dinë mirë se për të realizuar ëndrrën e tyre dhe tifozërisë, duhet të dalin me pikë të plota nga Manchesteri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme