Hezbollahu njoftoi se goditi me raketa një bazë ushtarake izraelite të shtunën, ndërkohë që forcat izraelite luftonin kundër militantëve në Liban dhe Gazë në ditën më të shenjtë në kalendarin hebre, festën e Yom Kippurit.
Ndërkaq në Bejrut gjendet kryetari i parlamentit iranian, i cili vizitoi një ndër objektet e goditura nga sulmet izraelite dhe u zotua për vazhdimësinë e mbështetjes për Libanin.
Për shkak të Yom Kippurit, ditës më të rëndësishme në besimin hebre, dyqanet qëndruan të mbyllura në mbarë Izraelin. Ndërsa hebrejtë besimtarë agjërojnë, nuk lejohen udhëtimet ajrore dhe u ndalua edhe transporti publik.
Por ndërsa vendi vazhdon të jetë në luftë kundër Hezbollahut dhe Hamasit, forcat izraelite mbeten të angazhuara në luftime në kufijtë veriorë dhe jugorë, mes kritikave të shumta për plagosjen e katër paqeruajtësve të OKB-së në Liban. Në incidentin e dytë brenda dy ditëve, u plagosën dy paqeruajtës nga Sri Lanka. Ushtria izraelite tha se pati reaguar ndaj një kërcënimi të menjëhershëm nga një vendndodhje në afërsi të forcave paqeruajtëse.
Ndërkohë, Kryetari i parlamentit iranian të shtunën vizitoi vendin e një sulmi ajror izraelit në Bejrut nga i cili u vranë dhe u plagosën dhjetëra persona, duke u zotuar se Teherani do të vazhdojë të mbështesë libanezët dhe palestinezët në luftën kundër Izraelit.
Mohammad Bagher Kalibaf vizitoi zonën e goditur të shtunën pasi u takua me kryeministrin e përkohshëm Najib Mikati, i cili tha se përparësia e Libanit tani ishte të punonte për arritjen e një armëpushimi.
Zyra e tij tha se qeveria e Libanit vazhdon t’i përmbahet një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 2006, të miratuar në fund të një lufte 34-ditore midis Izraelit dhe Hezbollahut dhe se ishte e përgatitur të rriste praninë e ushtrisë libaneze përgjatë kufirit të vendit me Izraelin.
Kjo ishte vizita e dytë e një zyrtari iranian në Bejrut në ditët e fundit pasi ministri i jashtëm i vendit vizitoi Libanin në fillim të këtij muaji.
Irani është mbështetësi kryesor i organizatës Hezbollah, që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Hezbollahu ka pësuar humbje të mëdha gjatë javëve të fundit, pasi fillimisht nga sulmet izraelite u vra edhe vetë udhëheqësi kryesor Hassan Nasrallah dhe një varg drejtuesish të lartë.
Rama: TikTok do mbyllet për një vit
Hamza: Rritja e pensioneve për kategoritë e dala nga lufta p...
Papa Françesku: Patriarku nuk u lejua që të hynte në Gaza
Murati: Procesohet subvencioni i energjisë elektrike për fat...
Kurti për sulmin në Gjermani: Populli i Kosovës qëndron në s...
“Më ka kap sëmundja e Gjestit me ec nëpër dhomë”, Driloni nx...