Hamann u bën thirrje anglezëve që ta pranojnë Tuchel si trajner

17:32 | 24 Tetor 2024
E.G

Ish-mesfushori i Gjermanisë dhe Liverpoolit, Dietmar Hamann, ka kërkuar nga tifozët e Anglisë dhe mediat angleze që t’i japin një shans Thomas Tuchel si trajner i ri i Kombëtares angleze.

Ish-trajneri i Paris Saint-Germain, Chelsea dhe Bayern Munich është zgjedhur për të pasuar Gareth Southgate. Megjithatë, emërimi i Tuchel ka shkaktuar shumë polemika në javët e fundit, me figura të njohura si Gary Neville dhe Jamie Carragher, që kanë shprehur dëshirën e tyre për një trajner vendas.

Mirëpo, Hamann nuk është pajtuar me këtë qëndrim, duke theksuar se ai do të ishte i hapur ndaj një trajneri të huaj për ekipin gjerman, nëse ai do të ishte më i kualifikuar.

“Për tetë vite, ekipi ynë kombëtar nuk ka bërë përparime dhe isha afër pranimit se na duhej një trajner i huaj për të sjellë një perspektivë të re”, ka thënë Hamann, duke theksuar se nuk do të kishte qenë kundër një trajneri anglez apo të huaj, për sa kohë që ata janë më të mirë se trajnerët gjermanë.

Tuchel ishte një nga disa trajnerë të huaj që u përmendën për postin e trajnerit të Anglisë pas dorëheqjes së Gareth Southgate në korrik, përfshirë edhe emra si Pep Guardiola dhe Jurgen Klopp. Hamann ka vënë në dukje se reagimi do të kishte qenë më pozitiv nëse Klopp ose Guardiola do të kishin marrë detyrën.

“Jurgen Klopp është i dashuri i të gjithëve. Mendoj se nëse ai do të ishte emëruar, reagimi do të ishte krejt ndryshe”, ka thënë ish-futbollisti gjerman./rtk

Të ngjashme