Guardiola vendos, talenti i Kosovës konfirmohet portier i dytë

23:23 | 1 Shtator 2018
Arbresh.info

Dy javë pas startit të Premier Ligës Manchester City humbi portierin veteran Claudio Bravo për një dëmtim të rëndë, por ndonëse u kërkua një përforcim me urgjencë, në fund Pep Guardiola vendosi të kthente në Angli një portier të talentuar, Arijanet Muric, i cili në fund të korrikut iu dha NAC Breda-s në Holandë në huazim.

Ndonëse mbiemri duket sllav, në të vërtetë djaloshi 19-vjeçar quhet Arjanet Muriqi dhe vetëm para pak ditësh i tha “po” Kombëtares A të Kosovës.

Një portier gjigant, 1.98 cm i gjatë, pjesë e ekipeve të moshave te Manchester City, Muriqi ka lindur në Zyrih dhe ka pasaportë zvicerane, malazeze e tashmë edhe kosovare, ndërsa është nën kontratë me Manchester City-n deri në vitin 2021. Deri në janar 2016 ishte pjesë e Grasshoppers, para se të transferohej tek Manchester City, ndërsa kohët e fundit Guardiola ka folur shumë mirë për të.

Vitin e shkuar Muriqi debutoi me Malin e Zi U-21, por drejtuesit e Federatës së Kosovës, duke nisur nga i ndjeri Fadil Vokrri e deri te presidenti i tanishëm Agim Ademi, biseduan shpesh me familjen e portierit të talentuar, duke e bindur të zgjidhte Kosovën, edhe për faktin se Mali i Zi nuk ishte i gatshëm që ta grumbullonte që tani në ekipin A.

Ndërkaq, Muriqi ishte në stol javën e shkuar në Wolverhampton, luajti 90 minuta në mesjavë në sfidën e Football League Trophy me Manchester City U-21 në Shrewsbury dhe sot është sërish në stol për sfidën City-Newcastle, duke fituar duelin me 20-vjeçarin Grimshaw, me të cilin ishte në garë për një vend në formacion edhe sezonin e shkuar, tek ekipi U-23. /telesport.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme