Sulmuesi francez, Antoine Griezmann ka thënë se nuk mendon të largohet gjatë afatit kalimtar të janarit dhe se mediat po abuzojnë me deklaratat e tij për të ardhmen.
Ditëve të fundit është folur shumë për të ardhmen e sulmuesit francez të Atletico Madridit.
Janë Barcelona, Real Madridi, Paris Saint-Germain dhe Manchester Unitedi skuadrat që kanë shprehur dëshirë ta kenë në radhët e veta.
Megjithatë, është vet Griezmann, i cili ka mohuar largimin në janar nga skuadra spanjolle dhe transferimin diku tjetër.
“Vendosa me dëshirën time të qëndroj te Atletico dhe do të vazhdojë të jem pjesë e skuadrës edhe pas muajit janar, kur të na bashkohen edhe Diego Costa e Vitolo”, ka thënë fillimisht Griezmann për Telefoot.
“Është e vërtetë që nuk po kaloj momente të mira, por po punoj shumë për t’u përmirësuar dhe ndihmuar skuadrën të qëndrojë në vendet e para të renditjes”.
“Të gjithë zërat e transferimeve janë të pabaza, sepse asgjë nuk ka dalë nga goja ime deri më tani”.
“Mediat abuzojnë sepse më pyesin nëse dua të luaj me Neymarin e Mbappen dhe pasi u them po, direkt deklarojnë se Griezmann dëshiron të luajë te PSG-ja”, përfundoi sulmuesi francez.