Gordon firmos kontratë të re me Newcastle

22:30 | 22 Tetor 2024
Q L

Anthony Gordon ka nënshkruar kontratë të re me Newcastle United të martën, duke e konfirmuar angazhimin e tij të gjatë me klubin.

Gordon, i cili i ishte bashkuar Newcastle nga Everton në janar të vitit 2023, ka bërë 74 paraqitje për “Magpies”, duke shënuar 15 gola dhe duke dhënë 11 asistime.

“Jam shumë i lumtur këtu, më pëlqen të jetoj këtu, ekipi më përshtatet shumë dhe jam këtu për të fituar një trofe. Shkurtimisht, ne kemi nevojë të fitojmë një trofe”, ka thënë futbollisti anglez pas nënshkrimit.

Ai ka shtuar se fitimi i një trofeu për tifozët do të ishte një moment historik. “Të fitosh një trofe këtu do të ishte e pabesueshme, sepse tifozët kanë pritur kaq gjatë. Të jem pjesë e ekipit që më në fund e arrin këtë është një qëllim i madh për mua”, ka thënë ai.

Gjithashtu trajneri i Newcastle, Eddie Howe, e ka shprehur kënaqësinë e tij për zgjatjen e kontratës së Gordon. “Jam shumë i kënaqur që Anthony ka vendosur të vazhdojë me klubin. Ai është rritur si lojtar dhe si person gjatë kohës së tij te Newcastle United dhe vazhdon të tregojë sa i mirë është në nivelet më të larta. Anthony është i përkushtuar për të përmirësuar veten dhe ekipin, dhe cilësia e tij në performanca, së bashku me punën e tij të palodhshme, e bëjnë atë të ketë një lidhje të veçantë me tifozët tanë”, ka thënë trajneri./rtk/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme