Gjasula: Mezi po presim Evropianin, atmosfera është e shkëlqyer në Kombëtare

16:09 | 2 Qershor 2024
D.H

Klaus Gjasula, në prag të ndeshjes miqësore me Lihtenshtejnin tregoi se atmosfera në Kombëtare është e shkëlqyer.

Ai shtoi se zgjidhjet në fushë i bën trajneri dhe të gjithë lojtarët janë të gatshëm për të dhënë maksimumin.

Përsa i përket Evropianit, Gjasula tha se është diçka shumë e veçantë dhe të gjithë lojtarët po përgatiten sa më mirë në seancat stërvitore.

Atmosfera në skuadër dhe kapiteni Berat Gjimshiti ? – Gjendja dhe atmosfera është e shkëlqyer si gjithmonë. Jemi në fazën përgatitore dhe po bëhemi gati fillimisht për dy ndeshjet e radhës, miqësoret ndaj Lihtenshtejnit dhe Azerbajxhanit. Po presim kapitenin të vijë tani. Atmosfera është shumë mirë, kapiteni i duhet skuadrës. Do vijë me fitoren dhe frymën e mirë nga klubi i tij dhe shpresojmë që të na japi edhe ne pak nga ajo energji, po presim.

Pozicioni i preferuar në fushë – Unë  jam mesfushor, kam ndihmuar edhe Darmstadt si mbrojtës, por unë do jap maksimumin. Vendosjet në fushë i bën trajneri, sa minuta do t’i japi lojtarëve, titullar apo jo. Të gjitha do t’i menaxhojë ai dhe unë jam këtu për të dhënë maksimumin, për të ndihmuar ekipin dhe pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Kemi disa muaj që nuk kemi luajtur bashkë, ndeshja nesër do na ndihmojë të gjejmë njëri-tjetrin. Nuk ka lidhje kundërshtari. Në muajin mars kemi pasur dy kundërshtar shumë të fortë. Ne po stërvitemi dhe çfarë kemi punuar aty do provojmë ta shfaqim në fushë. Ky është objektivi për këto dy ndeshje.

Pjesmarrja në Kampionatin Evropian “Gjermani 2024”- Kampionati Evropian është gjithmonë i veçantë. Mezi po e presim dhe ditët po kalojnë. Në seancat stërvitore po përgatitemi shumë mirë që të jemi gati në momentin e duhur.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme