Google ADS

Gianni De Biasi rikthehet te Shqipëria, por jo si trajner?

08:57 | 5 Mars 2018
Arbresh.info

Më parë ishte maniak dhe përkujdesej në detaje për lojtarët që kishin sadopak lidhje me Shqipërinë.

Mirëpo, sot është krejtësisht ndryshe. Gianni De Biasi, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, tregon se sot i ndjek fare pak legjionarët, madje skuadrën më së shumti sesa individët.

Është krejtësisht diplomat dhe thuajse e heq veten si fare i painformuar me çfarë ndodh me kuqezinjtë, kur pyetet edhe për ish-“besnikët” e tij që rrezikojnë të humbin gradat në kombëtare, porse ka ndjekur nga stadiumi gjysmë- finalen mes Juves dhe Atalantës së Berishës.

Komenton paraqitjet e kuqezinjve të portës, por nuk harron të japë edhe një recetë shkëlqimi për Sadikun në La Liga. Në fund, teksa injoron të gjitha lajmet e mediave italiane për skuadra të interesuara rreth tij, di të japë SMS në vendin e duhur në Shqipëri: “Rikthimi? Mund të jetë një ide në të ardhmen…”, shprehet tekniku. Ai bën edhe batutë, i pyetur kë zgjedh mes Strakoshës dhe Berishës…

Ekipi nis nga porta, dy gardianët shqiptarë në gjysmë- finalen e Kupës së Italisë. Çfarë do të thotë kjo?

Që janë pjesë e skuadrave të mira, e për këtë arrijnë edhe gjysmëfinalet e Kupës së Italisë.

Ama, ishin vendimtarë të dy dhe bënë maksimumin për finalen…

Të mërkurën isha në Torino dhe e pashë Etritin që bëri një paraqitje të mirë, duke shpëtuar një gol të sigurt përballë Mandzukiç fare pranë portës dhe më pas pësoi një gol nga penalltia, ku nuk mund të bënte asgjë. Për fat të keq, Strakosha u eliminua nga penalltitë dhe më vjen keq për të, për faktin se u përball me një skuadër që për momentin është mirë. Mirëpo, edhe Lacio është duke luajtur në kampionatin italian, shumë, shumë mirë dhe ka një pozitë të jashtëzakonshme në klasifikim.

Mister, në atë moment e menduat që Strakosha do priste dy penallti?

Unë mendoj se penalltitë janë shumë specifike. Ka shumë pjesë të përfshira te një e tillë. Sigurisht që ka edhe pjesë të studimit sesi gjuajnë kundërshtarët, por ka shumë të bëjë edhe psikologjia, e cila ndikon në lojtarin që godet.

Nga sa thatë, do t’ia bëjnë jetën të vështirë Panuccit në zgjedhje…

Është gjithmonë më mirë që të kesh mundësi të zgjedhësh se sa kur nuk ke se çfarë zgjedh. Unë besoj se trajnerit, gjatë punës së tij, i kërkohet që të bëjë pikërisht zgjedhje dhe kjo është thjesht pjesë e punës, nuk përbën problem. Më mirë të kesh sikletin e zgjedhjeve, se sa të mos kesh asnjë të tillë (qesh…).

Koment shumë i ftohtë, për t’ju futur pak në rol… Supozojmë se duhet vetëm një orë nga sfida e radhës kundër Norvegjisë për Kombëtaren, kë do zgjidhnit titullar?

As i vdekur nuk ta them (qesh…)

Insistoj…

Kë do të hedhë në fushë Panuçi, do të jetë i duhuri. Do të jetë i duhuri për këtë ndeshje, më pas, në Ligën e Kombeve, gjërat mund të ndryshojnë ose të konfirmohen.

E lëmë portën dhe hidhemi drejt sulmit… Sadiku ka debutuar në La Liga. Çfarë këshille keni për të, pasi ka edhe një si Pacini në ekip?

Armando ka mundësinë që të ketë hapësira të rëndë- sishme te Levante, pasi edhe klubi ka besim tek ai. Besoj se do të mund të aktivizohej ai kundër Realit dhe jo Pacini, por për fat të keq pati një dëmtim. Mendoj se Sadiku, nëse do të jetë i qetë dhe mirë, mund të zhvillojë një finale të sezonit në mënyrë interesante dhe mund të ndihmojë shumë Levanten në garën për mbijetesë.

Panuçi ka demontuar dëshirën për një Shqipëri më sulmuese, por në këto momente, sulmuesit shënojnë pak…

Çdokush luan në mënyrën më të mirë që mendon, duke pasur në konsideratë lojtarët që ka në dispozicion. Çdokush ndërton objektivat në bazë të ideve dhe bindjeve që ka.

Është vënë re një lloj ndryshimi edhe për emrat e lojtarëve. Cilët prej “besnikëve” tuaj shihni në rrezik?

Realisht, nuk e di. Që kur jam larguar, i ndjek tashmë me kënaqësi dhe si tifoz i madh i skuadrës. Nuk më interesojnë më dhe nuk di se çfarë zgjedhjesh bëhen. Nuk i ndjek më me kujdes as kampionatet ku luajnë lojtarët tanë, siç bëra shumë kohë. Kam të tjera gjëra për të bërë…

Për De Biasin janë lakuar shumë skuadra së fundmi. Çfarë të rejash konkrete ka?

Zero! Asnjë!

Në federatë është vakant posti i drejtorit të ekipeve kombëtareve. Do riktheheni?

Nuk e kam menduar… Megjithatë, mund të jetë një ide për të ardhmen.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme