Atletja shqiptare, Luiza Gega, së fundmi ka fituar medalje të artë në Kampionatin Ballkanik të Atletikës, ku morrën pjesë 20 shtete në Kraljevo të Serbisë.
Pas suksesit të arritur Gega ka dhënë një intervistë për Radio Urban FM foli për garën që u zhvillua në Serbi dhe presion e madh, shkruan Arbresh.info.
“Gëzohem kur garoj me ngjyrat e flamurit tim në arena të ndryshme. Një natë para gares na e thyen xhamin e makinës. Kishte shumë tension, tregohesha shumë vigjilente që të mos kishte ndonjë incident sepse sigurisht më penalizon në objektivat e radhës. Gjithë aktiviteti kishte praninë e policisë, ndoshta donin të shmangnin edhe situata të tilla, por që ishte kënaqësi e veçantë, gara e tretë triumfuese, medalje të artë. Nuk e shmangën dot këtë pjesë që jam nga Shqipëria. I gjithë fokusi im është për Lojërat Olimpike. Dy vitet e fundit kanë qenë shumë të suksesshëm të karrierës. Tani këto suksese më kanë sjellë në majat e Evropës”, tha ajo.
Luiza Gega ka arritur të triumfojë në Kampionatin Ballkanik të Atletikës në disiplinën 3000m/p me kohën 9.21.53.
Luiza është kualifikuar për në Lojërat Olimpike Paris 2024 dhe bëhet sportistja e parë shqiptare që ka marr biletën kualifikuese për Paris 2024./Arbresh.info/