Janë mbyllur kualifikimet për kampionatin botëror ‘Russia 2018’.
Shumica e Kombëtareve vetëm se kanë prerë biletën për Kampionatin Botëror, ndërsa disa tjera janë në pritje të ‘Play-Off’-it.
Por tanimë janë zbuluar edhe statistikat me futbollistët që kanë bërë më së shumti pasime në këto kualifikuese.
Në mesin e shumë yjeve të futbollit botëror, ndodhet edhe mesfushori nga Prishtina, Granit Xhaka.
Pozita e parë i takon gjermanit Toni Kroos me 826 pasime të sakta, ku ka lënë pas vetës bashkëkombësin e tij Joshua Kimmich me 818.
Reprezentuesi i Spanjës, Sergio Busquets zë pozitën e tretë me 809 pasime.
E vendi i katërt i takon Granit Xhakës i cili ka vetëm tre pasime më pak se spanjolli 806.
Xhaka ka luajtur nëntë ndeshje me Zvicrën në këto ndeshje kualifikuese duke munguar vetëm në të dytën për shkak të kartonit të kuq ndaj Hungarisë.
Përveç që ka shkëlqyer me pasime në kualifikimet për kampionatin botëror, prishtinasi ka pozitë të njëjtë edhe në Ligën Premier.
Ish-anëtari i Baselit dhe Borussia Moenchegladbach ka bërë 492 pasime ku 83% prej tyre janë të sakta.
Para shtetasit kosovar janë vetëm Fernandinho me 507, Nicolas Otamendi me 504 dhe David Silva me 499.
25-vjeçari është rikthyer në Londër pas ndeshjeve kualifikuese dhe pritet të luajë si titullar me Arsenalin në udhëtim te Watfordi.