Futbolli shqiptar në zi, vdes ish-portieri i njohur i Partizanit

20:34 | 5 Tetor 2022
Emir Abduramani

Futbolli shqiptar në zi. Është ndarë nga jeta pasditen e sotme ish-portieri legjendar i Kombëtares Shqiptare, Sulejman Maliqati. I lindur në Kavajë më 1 gusht të 1928-ës, Maliqati u rrit si sportist te Besa, ku luajti për tre sezone, në periudhën 1947-1950.

Më pas u transferua te Partizani, ku luajti 14 sezone dhe fitoi 7 tituj kampionë, ndërsa në Kombëtaren Shqiptare debutoi në shtator të 1950-ës në një miqësore ndaj Hungarisë së Puscasit të madh dhe luajti gjithsej 5 ndeshje.

Sulejman Maliqati do të mbahet mend si portieri që nuk veshi asnjëherë doreza kur zbriste në fushë, pasi siç shpjegoi në një intervistë disa vite më vonë, me to në duar, nuk kishte të njëjtën ndjeshmëri.

Gjithashtu Maliqati u cilësua edhe si “macja e zezë” nga shtypi gjerman, i cili i referohej performancës së tij në një Spartakiadë me Partizanin në 1958-ën, ku kavajasi vishte një uniform të zezë dhe bëri paraqitje fantastike, duke mbrojtur portën e të kuqve.

Maliqati mbylli sytë në moshën 94-vjeçare, duke lënë pas një histori të tërë mes shtyllave, ndërsa rrugën e tij e ndoqi edhe i biri, Agim Maliqati, i cili luajti me Vllazninë dhe Lokomotivën e Durrësit, po u nda nga jeta në moshë fare të re, në 2012-ën./SS

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme