Në janar të vitit 2017, mesfushori i Brazilit, Oscar, u transferua nga Chelsea në Kinë, te skuadra Shanghai SIPG për një rekord aziatik në vlerë prej 60 milionë eurosh, duke nxitur një paralajmërim nga Arsene Wenger se klubet kineze po shtrembërojnë tregun global të transferimeve në futboll. Mirëpo katër vjet më vonë është një histori krejtësisht tjetër pasi Federata e Futbollit të Kinës vendosi një seri masash për të qetësuar shpenzimet ekstravagante në Superligën kineze, duke zbehur dukshëm fuqinë e saj të yjeve. Gjashtë muaj pas mbërritjes së Oscarit në Kinë, Federata vendosi një taksë 100 për qind për të huajt e ardhur, me taksën për lojtarët e rinj kinezë.
“Shpenzimet e klubeve në Superligën e Kinës janë dhjetëfish më të larta se në K-League të Koresë së Jugut dhe tri herë më të larta se në J-League të Japonisë”, ka thënë presidenti i Federatës kineze, Chen Xuyuan.“Po ekipi ynë kombëtar po mbetet shumë prapa. Masat aktuale jo vetëm që ndikojnë në të tashmen e futbollit kinez, por edhe në të ardhmen e tij”.
Të gjithë lojtarët tani duhet të kenë kontrata të reja, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua, duke shtuar se ekipet mund të nënshkruajnë “marrëveshje shtesë” me lojtarët, marrëveshjet ekzistuese të të cilëve ishin mbi limitin tashmë të vendosur. Kjo do të thotë që Oscar, mesfushori 29-vjeçar me tipare sulmuese, do të vazhdojë të fitojë më shumë se 20 milionë euro në vit për momentin te Shanghai SIPG. Por mesazhi është i qartë: ditët e tarifave dhe pagave të fryra të transferimit për të joshur lojtarët e mëdhenj nga Evropa në Kinë kanë mbaruar. Shoku tjetër i Oscarit, brazilian dhe shoku i ekipit të SIPG, sulmuesi Hulk, një blerje prej 55.8 milionë eurosh në vitin 2016, u largua nga klubi muajin e kaluar kur skadoi kontrata e tij. Sulmuesi italian Graziano Pelle ishte një tjetër dalje e profilit të lartë këtë javë nga Superliga e Kinës. Kështu që, sipas mediumeve kineze, largimet e këtyre futbollistëve “paralajmëruan fundin e epokës së lojtarëve të huaj superluksozë”.
Krahas Oscarit, disa nga emrat e mëdhenj që mbërritën në vitet e fundit mbeten në Superligën e Kinës, veçanërisht ish-mesfushori i Barcelonës, Paulinho, dhe ish-ylli i Manchester Unitedit, Marouane Fellaini.
Mirëpo gjërat po ngushtohen dhe nënshkrimi i fundit i madh në Kinë ishte sulmuesi Marko Arnautoviq, i cili nga West Ham Unitedi në korrik të vitit 2019 për 25 milionë euro iu bashkua ekipit Shanghai SIPG.
Megjithatë, në federatë insistojnë se limitet e vendosura nuk kanë ndikuar shumë. Sekretari i përgjithshëm mohoi që humbja e yjeve të huaj e bëri Superligën të zbehur dhe vuri në dukje se Kina po tërheq akoma trajnerë të profilit të lartë, siç është fituesi i trofeut të Ligës së Kampionëve, spanjolli Rafael Benitez, që është në krye të Dalian Pro. Mirëpo Liu tha se standardi nuk supozohet se ka të bëjë me shpenzimet, por ka të bëjë me qëndrueshmërinë.
“Profili i Superligës së Kinës tashmë ka qenë i lartë për shkak të shpenzimeve të mëdha, me transferimin e lojtarëve si Oscar e Hulk. Por tani ne jemi duke kërkuar qeverisje më të mirë, një model më të qëndrueshëm të biznesit dhe një sistem më të mirë të akademisë së të rinjve për të zhvilluar lojtarë kinezë për ta bërë Përfaqësuesen e Kinës më konkurruese”, tha ai. “Disa lojtarë të mëdhenj janë ende duke luajtur këtu, por a ka ndihmuar kjo zhvillimin e lojtarëve vendas? Jo, nuk ka ndihmuar”.
Gareth Bale ishte afër transferimit te Jiangsu Suning në vitin 2019 para se Real Madridi të tërhiqej nga negociatat, kurse Wayne Rooney gjithashtu dikur eksploroi një mundësi lëvizjeje në Kinë. Por përpara sezonit të ri në pranverë dhe me pandeminë e koronavirusit që vazhdon të jetë e pranishme, askush nuk po flet për lojtarët e atij kalibri që lëvizin në Superligën e Kinës. Në vend të kësaj ekipet po shikojnë huazime, transferime falas ose nënshkrime nën pragun prej 5.7 milionë eurosh, që do të shkaktonte taksën e transferimit 100 për qind. Duke shkruar në gazetën “Oriental Sports Daily”, kolumnisti Ge Aiping, tha se Superliga e Kinës “arriti kulmin” në vitet 2015 dhe 2016, kurse disa nga emrat e rëndësishëm të yjeve të futbollit vendosën të jenë pjesë e saj.
“Ndeshjet e Superligës së Kinës transmetoheshin në çdo vend të botës dhe vlera e saj ishte shumë e madhe pasi bëheshin transferime rekorde”, tha Ge.
Së bashku me masat e federatës kineze, shumica e klubeve CSL nuk kanë më mundësi të investojnë siç bënë më herrët, tha ai. Liga që e kishte menaxherin e atëhershëm të Arsenalit, Wenger, duke u shqetësuar si një kërcënim për Premier Leaguen është zëvendësuar tani nga një version “i kursyer”.
“Cila është më e mirë – Superliga kineze 2015 dhe 2016 apo Superliga Kineze e begatë, duke filluar në 2021?”, pyeti Ge. “Nga pikëpamja e shikimit, natyrisht që është e para. Sidoqoftë, tendenca në vitet e fundit tregon se një Superligë kineze e mbinxehur nuk është e qëndrueshme. Një Superligë e kursyer kineze mund të rezervojë të paktën forcë për një zhvillim më të mirë”.
Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir...
Çmimet e barnave të unifikuara nga 1 janari, Kurti: Edhe një...
Sali Berisha i bashkohet protestës së opozitës në Tiranë: Nu...
Shkëlqeu ndaj ish-skuadrës së tij, Hot “MVP” i javës
Vëllaznimi rikthen Myreon Jones
Ushtarët e KFOR-it kryejnë stërvitje të përbashkët evakuimi