Shqipëria është buzë fitimit të së drejtës për ta organizuar së bashku me Serbinë Kampionatin Evropian të futbollit për nën 21-vjeçarët në vitin 2027 – gjë që ka shkaktuar zemërim në mesin e tifozëve në Shqipëri dhe në Kosovë.
Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) njoftoi më 26 shtator se vetëm kërkesa e përbashkët e Shqipërisë dhe e Serbisë ka zënë afatin për organizimin e turneut, ndërsa Komiteti Ekzekutiv i saj pritet ta pranojë zyrtarisht kërkesën e dy shteteve jofqinje gjatë një takimi më 16 dhjetor.
Kur Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) njoftoi në muajin maj se u bë bashkë me atë të Serbisë për ta planifikuar organizimin e turneut me 16 kombëtare, i cili zhvillohet çdo dy vjet, ajo u përball me shumë kritika, sidomos në Kosovë. Por, ajo s’u zmbraps në synimin e saj, megjithëse i priti reagimet.
Grupi zyrtar i mbështetësve të Shqipërisë, i njohur si “Tifozat Kuq e Zi”, ka kërcënuar se do ta ndërpresë mbështetjen për kombëtaren, për shkak të këtij organizimi.
“Ky organizim assesi nuk mund të quhet i Shqipërisë, pasi FSHF-ja nuk ka kompetencë të flasë në emër të shqiptarëve dhe Shqipërisë, por vetëm në emër të vetin si organizatë, e që pas këtij akti do të gjejë mbështetje vetëm te punonjësit e vet që u jep pagë”, tha grupi në Facebook.
Shefi i futbollit shqiptar, Armand Duka, nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment, por ai kishte thënë më herët këtë vit për Associated Press se “ky është 100 për qind projekt futbolli”.
Pas lajmit të së enjtes, FSHF-ja u detyrua ta mbyllte hapësirën për komente në të gjitha postimet në llogaritë e veta në rrjetet sociale, për shkak të reagimeve.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, kishte thënë më herët këtë vit se nuk i kishte pëlqyer lajmi për organizimin e Euro U21 mes Shqipërisë dhe Serbisë, por se kjo ishte “çështje e Federatës Shqiptare” dhe se Kosova nuk ka infrastrukturë për të menduar një organizim të tillë me Shqipërinë.
Shqipëria gëzon mbështetje të madhe mes futbolldashësve në Kosovë, një pjesë e të cilëve kanë aspirata për një kombëtare të përbashkët. Për shembull, njëri ndër grupet më të njohura të tifozëve në Kosovë, “Plisat”, refuzon ta mbështesë kombëtaren e Kosovës, dhe është ndjekëse e rregullt e kombëtares shqiptare.
Grupi zyrtar i tifozëve të kombëtares së Kosovës, “Dardanët”, e quajti “të turpshëm” për Shqipërinë organizimin e mundshëm të këtij turneu me Serbinë.
“Shqiptarët e Kosovës nuk kanë nevojë për poshtërim moral dhe emocional, por për ndihmë dhe përkrahje. Ngjarja edhe do të organizohet, por turpi do të jetojë përjetë dhe nuk do të falet. Kosova nuk do ta falë. Jo në emrin tonë”, shkroi grupi i mbështetësve të Kosovës.
Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, ku shqiptarët përbëjnë mbi 90 për qind të popullsisë, dhe tensionet mes dy vendeve fqinje vazhdojnë të jenë të larta edhe pas përfundimit të luftës së përgjakshme më 1999.
Shumë kundërshtarë të organizimit Shqipëri-Serbi e kanë kujtuar hedhjen e një droni me flamurin e “Shqipërisë së Madhe” në ndeshjen e futbollit midis Serbisë dhe Shqipërisë, në Beograd, në vitin 2014, e cila shkaktoi përleshje mes futbollistëve në stadium, dhe thirrje nacionaliste të serbëve kundër shqiptarëve.
Ata kanë përmendur luftën në Kosovë dhe incidentin e 2014-tës në kryeqendrën serbe si ndër arsyet pse Shqipëria nuk është dashur ta merrte parasysh organizimin e këtij turneu së bashku me Serbinë.
Pak muaj pasi Shqipëria dhe Serbia bënë të ditur synimin e tyre, federatat e dy shteteve u bënë ndër më të gjobiturat nga UEFA për incidente nacionaliste që tifozët e tyre i shkaktuan gjatë Kampionatit Evropian të futbollit 2024 në Gjermani.
Tifozët shqiptarë dhe ata serbë shpalosën pankarta me motive politike në lidhje me Kosovën, si dhe thirrje të ndryshme nacionaliste kundër njëri-tjetrit.
Në njërin nga këto incidente u përfshi edhe sulmuesi i Shqipërisë, Mirlind Daku, i lindur dhe rritur në Kosovë – i cili edhe u dënua për shkak se mori një megafon dhe iu bashkua thirrjeve të tifozëve kundër serbëve.
Kombëtarja e Shqipërisë ka një numër të madh futbollistësh me origjinë nga Kosova.
Në Kosovë, ditëve të fundit ka pasur edhe thirrje në mesin e komunitetit të futbollit që lojtarët kosovarë ta shqyrtojnë përfaqësimin e Shqipërisë.
Kosova u bë pjesë e UEFA-s dhe shtëpisë botërore të futbollit, FIFA, më 2016 – dhe që atëherë ka kombëtaren e vet të njohur, me të cilën përfaqësohet në gara ndërkombëtare.
Sipas një rregulloreje të UEFA-s, ekipet kombëtare të Kosovës dhe Serbisë nuk lejohen të takohen mes vete në garat evropiane.
Duka – i cili është edhe nënkryetar i UEFA-s – tha gjithashtu se me këtë organizim “ne mund ta japim një mesazh shumë të mirë politik”.
“Ndoshta 10 vjet më parë ka qenë e paimagjinueshme që ne të garonin për një organizim të tillë”, tha Duka.
Ai gjithashtu e pranoi se Shqipëria kishte më shumë shanse ta fitonte organizimin e Euro U21 më 2027 duke garuar së bashku me një shtet tjetër./rel
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Një i lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...
Policia del me njoftim për aksidentet e ndodhura për shkak t...
Gjykatësi shtyn për herë të tretë dënimin e Trumpit
Guri i LDK’së: Mundeni me na paditë, por drejtësisë nuk mund...